Please enter at least 3 characters.

Veliu: Kjo qeveri duhet të bie

2016/01/veliu-kjo-qeveri-duhet-t-euml-bie_hd.jpg

Me një manifestim solemn Lidhja Demokratike te Kosovës Dega në Podujevë, sot shënoi 24 vjetorin e themelimit të saj. Përveç kreut të LDK-së në Podujevë, në manifestimin e organizuar në restorantin “ORA” ishin të pranishëm edhe nënkryetari i LDK-së, Akademik Sabri Hamiti, Sekretari i Përgjithshëm, Ismet Beqiri, anëtarë të kryesisë, deputetë, veprimtarë dhe anëtarë të shumtë të LDK-së.

Kryetari i Degës së LDK-së në Podujevë, Agim Veliu, tha se “shënimi solemn i përvjetorit të Degës në Podujevë bëhet në vitin e Jubileut të çerek shekullit të LDK, e para parti antikomuniste në juglindjen e Europës, me platformë nacionale e demokratike dhe me orientim perëndimor” .

Ndërsa duke iu referuar subjektit politik në degën që ai udhëheq, Veliu tha se “në Podujevë, LDK ka marrë besimin me votë në të gjitha proceset zgjedhore, para dhe pas luftës. Pra është parti që ka besueshmërinë dhe meritën për krejt arritjet në Podujevë”.

Veliu u ndal edhe tek zgjedhjet nacionale të këtij viti, duke thënë se “është koha që qytetarët t’i vetëdijësojmë për domosdonë e rrëzimit të kësaj qeverie dhe të ofrojmë projektin dhe vlerat që ka LDK për ta nxjerrë shoqërinë dhe shtetin e Kosovës në hullinë e mirëqenies dhe zhvillimit ekonomik” .

“Pritjet e qytetarëve janë të mëdha, LDK duhet të marr obligimin për ta çuar përpara vullnetin për ndryshim dhe shpresën për progres. LDK ka programin dhe prioritetet e tij, dhe tashmë ka edhe Kryeministri, që garanton me vlerat e me profesionalizmin, siguri në qeverisje, përfshirje të kuadrove moshash dhe gjinish, shoqëri të zhvilluar me sundim të së drejtës dhe për liri qytetare”, tha Veliu, që njëherësh është edhe anëtar i kryesisë qendrore të LDK-së.

Ndërsa, Nënkryetari i LDK-së Akademik Sabri Hamiti, tha se të flasësh për LDK-në e Podujevës është e lehtë.

“Janë veprat e qeverisjes në Llap, e cila gjithmonë është udhëhequr nga LDK-ja, të cilat flasin më së miri për funksionimin dhe punën e mirë që LDK ka bërë në Komunën e Podujevës”, tha Hamiti, duke vlerësuar lartë edhe lidershipin e kryetarit Veliu në udhëheqjen e suksesshme të LDK-së dhe Komunës së Podujevës. /Telegrafi/