Please enter at least 3 characters.

Vedat Muriqi te Fenerbahce? Drejtori i Mallorcas thyen heshtjen dhe flet për të ardhmen e yllit kosovar

Drejtori i Mallorcas Alfonso Diaz ka konfirmuar se sulmuesi Vedat Muriqi nuk do të largohet.

Ditët e fundit ka pasur shumë spekulime nga mediat turke që Fenerbahce po bën çmos për ta rikthyer Muriqin si dhe e kanë bërë prioritet për këtë afat kalimtar dimëror.

Sidoqoftë, Muriqi është i paprekshëm te Mallorca, me drejtorin kryesor që ka konfirmuar se nuk do të ketë ndonjë lëvizje për lojtarin nga Prizreni.

“Afati kalimtar kuptohet gjithmonë jep spekulime. Nuk kemi oferta për Mascarell si dhe Muriqi do të qëndrojë me ne. Jemi duke punuar për ta përforcuar skuadrën”, deklaroi shkurtimisht ai.

Muriqi po kalon ndoshta sezonin më të mirë të karrierës këtë edicion, duke qenë golashënuesi i dytë në La Liga me 14 gola, ku vetëm Kylian Mbappe me 21 sosh është para tij.

Pavarësisht formës së shkëlqyer të Muriqit, Mallorca po vuan këtë sezon në kampionatin spanjoll, duke luftuar për mbijetesë pasi zënë pozitën e 16-të me 21 pikë, vetëm dy mbi Alavesin që renditet në zonën e rrezikshme./Telegrafi