Please enter at least 3 characters.

Vedat Muriqi ka marrëveshje me klubin e njohur - mbetet vetëm nënshkrimi i kontatës

Vedat Muriqi pritet të jetë një nga emrat më të përfolur të afatit kalimtar të verës, ndërsa mediat turke raportojnë se sulmuesi kosovar është shumë afër rikthimit te Fenerbahçe.

Sipas gazetarit Sezgin Gelmez të HT Spor, është arritur një marrëveshje mes Muriqit dhe palës së lidhur me klubin, ndërsa tashmë mbetet vetëm hapi formal,nënshkrimi i kontratës, pasi të qartësohet situata në klub.

Muriqi shëqeu në La Liga me 22 gola te Mallorca, por ekipi përkundër paraqitjeve të tij fenomenale, u largua nga elita.

Transferimi lidhet edhe me zgjedhjet në Fenerbahçe

Mediumi turk thekson se tema kryesore në Fenerbahçe aktualisht është afati kalimtar, ndërsa dy kandidatët presidencialë, Aziz Yıldırım dhe Hakan Safi, kanë intensifikuar përpjekjet për afrime të mëdha.

Sipas HT Spor, Aziz Yıldırım ka arritur marrëveshje me Muriqin dhe, nëse zgjidhet president, pritet ta finalizojë transferimin me nënshkrim.

Po ashtu, thuhet se edhe në rast se fiton kandidati tjetër, Hakan Safi, mund të ndiqet i njëjti plan, pasi të dy palët janë të interesuara për sulmuesin e Mallorcës.

Rikthim në Kadıköy pas aventurës së parë

Muriqi e ka veshur më parë fanellën e Fenerbahçes në sezonin 2019/20, kur u paraqit në 36 ndeshje, realizoi 17 gola dhe bëri 7 asistime, duke u kthyer në një nga lojtarët më të dashur për tifozët.

Pas një sezoni shumë të mirë me Mallorcën, tani gjithnjë e më shumë po flitet se sulmuesi është gati për rikthim në Kadıköy, me marrëveshjen që – sipas raportimeve – është “e kryer”, ndërsa pritet vetëm finalizimi zyrtar. /Telegrafi/