Vdekja e dëshmitarit “X” nuk e pengon procesin gjyqësor
Agim Zogaj që deri të martën është identifikuar me shkronjën “X”, është gjetur i vdekur të hënën natën në një park të Gjermanisë. Atë e kishte EULEX-i në mbrojtje prej kur u ishte dorëzuar autoriteteve dy vjet më parë, kur kishte filluar të dëshmonte për krime që pretendonte t’i ketë kryer Fatmir Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij.
Ai ka lënë dëshmi të shkruara dhe të filmuara, të cilët pritet të përdoren në rastin kundër Limajt që do të nisë nga fundi i tetorit. Dëshmia e tij, sipas njohësve të së drejtës penale, është bërë edhe më e vlefshme dhe e pranueshme për prokurorinë, për shkak se mbrojtja e kishte marrë në pyetje tashmë dhe ka nënshkruar procesverbalin e procesit që ishte zhvilluar në muajin korrik në Prishtinë, shkruan Koha Ditore.
“Ai e ka nënshkruar deklaratën. Deklarata e tij nuk do të ishte e vlefshme, sikur të mos ishte nënshkruar prej tij dhe sikur të mos ishte pyetur nga pala kundërshtare. Prova nuk lidhet me jetën. Fundja, edhe sikur të ishte gjallë, procesi do të mund të zhvillohej edhe sikur fare ky dëshmitar të mos paraqitej në gjykim”, ka thënë një njohës i procesit në kushte anonimiteti.
“Korpus delikti është gjetur. Mjeti me të cilin është kryer vepra është gjetur, është gjetur edhe varreza. Gjaku është konstatuar se është i tyre, ditari është gjetur edhe është konstatuar se është i dëshmitarit ‘X’. Jam i bindur se Prokurori me çdo kusht do ta përdorë si provë dëshminë e këtij dëshmitari, sepse është provë valide”, ka thënë ai.
Por Tahir Rrecaj, që në jetën juridike ka mbi 37 vjet përvojë punë, në cilësinë e avokatit mbrojtës të Fatmir Limajt nuk ka dashur të flasë nëse dëshmia është valide apo jo. Ai ka thënë se argumentet e tij do t’i japë në gjykatë kur të nisë procesi.
Burime nga Gjykata kanë thënë se dëshmia e dëshmitarit “X”, i cili inkriminonte rëndë Fatmir Limajn në krime do të pranohet nga Gjykata si e tillë dhe se mbrojtja nuk do të ketë kurrfarë baze ligjore për ta kundërshtuar atë. Ky burim ka thënë se argumentin kundërshtues mbrojtja e ka “djegur” me rastin e marrjes në pyetje të dëshmitarit.
Ndryshe, në vazhdim janë sekuenca fjalësh që ka transmetuar mbrëmë Klan Kosova të dëshmisë së Agim Zogajt (Dëshmitari X), dhënë për EULEX-in. Raportohet se dëshmia zgjatë rreth 7 orë, dhe është pikërisht kjo që ka bërë që misioni evropian i sundimit të ligjit të ngritë aktakuzë ndaj deputetit të PDK-së, Fatmir Limaj dhe 9 ish-luftëtarëve të UÇK-së.
Është lëshuar vetëm pjesë të shkëputura të dëshmisë për shkak të konfidencialitetit të saj. /Telegrafi/


