Vazhdon kërkimi për 67-vjeçarin e zhdukur nga Istogu
Prej më shumë se 24 orësh po vazhdon kërkimi për 67-vjeçarin Beqir Malokaj nga fshati Saradran, me vendbanim në Istog, i cili është raportuar i zhdukur.
Nënkryetari i Shoqatës për Kërkim–Shpëtim, Mentor Maloku, ka bërë të ditur se në operacion janë përfshirë edhe pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), krahas policisë, familjarëve dhe qytetarëve.
“Po, operacioni i kërkimit po vazhdon. Disa gjurmë janë gjetur nga familjarët, përfshirë një palë syze që u gjetën në një mal në periferi të Istogut. Tash pritet të verifikohet nëse ato i takojnë personit të zhdukur, gjë që do ta bëjë hetuesia”, tha Maloku.
Ai shtoi se kërkimet aktualisht po zhvillohen në terren.
“Jemi duke e krehur zonën në këmbë bashkë me ushtarët e FSK-së, policinë dhe qytetarët. Po presim që të errësohet dhe pastaj kërkimin ta bëjmë edhe përmes dronëve, si nga ana jonë ashtu edhe nga FSK-ja”.
Policia është njoftuar me rastin dhe gjatë gjithë natës së mbrëmshme ka kërkuar bashkë me familjarët, por deri më tani nuk është gjetur ndonjë gjurmë tjetër.
Autoritetet dhe familja apelojnë tek qytetarët që nëse kanë ndonjë informacion për vendndodhjen e Beqir Malokajt, të kontaktojnë Policinë e Kosovës ose familjen në numrin e telefonit +383 49 118 844.


