Vazhdon beteja ligjore mes Blake Lively dhe Justin Baldoni, avokatët e palëve përplasen pas vendimit të fundit të gjykatës
Blake Lively dhe Justin Baldoni
Beteja ligjore mes aktorëve të filmit "It Ends With Us", Blake Lively dhe Justin Baldoni, vazhdon që nga fundi i vitit 2024, kur Lively ngriti akuza ndaj kolegut të saj për ngacmim seksual gjatë xhirimeve të filmit.
Aktorja pretendoi gjithashtu se Baldoni dhe bashkëpunëtorët e tij kishin zhvilluar një fushatë për të dëmtuar reputacionin e saj publik. Nga ana tjetër, Baldoni i mohoi kategorikisht të gjitha akuzat, ndërsa çështja u shndërrua shpejt në një përplasje ligjore shumë milionëshe.
Zhvillimi më i fundit erdhi pasi gjyqtari Lewis J. Liman vendosi që Lively ka të drejtë të rimbursohet për një pjesë të shpenzimeve ligjore të lidhura me mbrojtjen ndaj kundërpadisë së Baldonit. Megjithatë, gjykata hodhi poshtë kërkesën e saj për dëmshpërblim të trefishtë dhe dëmshpërblim ndëshkues.
Avokati i Baldonit, Bryan Freedman, reagoi ashpër ndaj vendimit, duke e cilësuar atë si një fitore për klientin e tij.
“Ne fituam kundër një sulmi të koordinuar të bazuar në akuza për ngacmim seksual, hakmarrje dhe fushatë shpifjesh që nuk kanë ndodhur kurrë”, deklaroi ai për Fox News Digital.
Freedman shtoi se Lively kishte kërkuar më shumë se 300 milionë dollarë dëmshpërblim, por sipas tij shumica e pretendimeve të saj janë rrëzuar nga gjykata, ndërsa asaj i është njohur vetëm një shumë e kufizuar për shpenzimet e avokatëve.
“Nuk ka pasur ngacmim seksual. Nuk ka pasur hakmarrje. Nuk ka pasur fushatë shpifjesh”, tha ai.
Nga ana tjetër, ekipi ligjor i Lively hodhi poshtë këto pretendime në një deklaratë për revistën People, duke akuzuar palën e Baldonit për përdorimin e taktikës së njohur si DARVO - mohim, sulm dhe përmbysje të roleve mes viktimës dhe autorit.
“Duket se Justin Baldoni tani mendon se gratë që paraqesin në mirëbesim padi për ngacmim seksual dhe hakmarrje duhet të shkatërrohen financiarisht përmes proceseve gjyqësore”, thuhet në reagimin e ekipit të saj ligjor.
Mosmarrëveshja u përshkallëzua edhe më tej në janar të vitit 2025, kur Baldoni ngriti një kundërpadi prej 400 milionë dollarësh kundër Livelyt, bashkëshortit të saj, Ryan Reynolds, dhe personave të tjerë, duke i akuzuar për shpifje dhe zhvatje. Megjithatë, një gjykatës federal e hodhi poshtë këtë kundërpadi në qershor të po atij viti.
Gjatë viteve 2025 dhe 2026, një pjesë e pretendimeve të Livelyt u rrëzuan gjithashtu, ndërsa disa të tjera mbetën aktive. Pjesa më e madhe e konfliktit ligjor u mbyll në maj të vitit 2026, kur të dyja palët arritën një marrëveshje jashtë gjykate, detajet e së cilës nuk janë bërë publike. /Telegrafi/


