Vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e zjarrit në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Thatë
Ekipet e zjarrfikësve nga Komuna e Pejës dhe ajo e Istogut, së bashku me mekanizimin e KRM “Ambienti” Sh.A., po vazhdojnë përpjekjet intensive për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Thatë.
Sipas njoftimit, ekipet e zjarrfikësve, në koordinim me mekanizimin e rëndë të KRM “Ambienti”, janë duke punuar pa ndërprerje në terren për ta vënë situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Koordinimi i aksionit është bërë përmes bashkëpunimit ndërmjet Komandantit të NJPZSH-së në Pejë, Butrint Lajçi, dhe Komandantit të Shërbimit të Zjarrfikjes në Istog, Sadik Kovaqeviq, të cilët kanë organizuar angazhimin e përbashkët të ekipeve në terren.
Institucionet përgjegjëse kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë angazhimin deri në shuarjen e plotë të zjarrit, me qëllim të mbrojtjes së mjedisit dhe sigurisë së qytetarëve.


