Varfi: U futën në lojë “ustallarët e zgjedhjeve”
Përfaqësuesi i LSI-së në KQZ, Ylli Manjani, në fjalën e tij theksoi interesin e votuesit shqiptar, interesin e qytetarit, duke argumentuar se “vendimi i ndërmarrë nga KQZ për rinumërimin e fletëve të kontestuara është vendimi i duhur”.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ, Njazi Kosovrasti hodhi poshtë pretendimet e Gjonçajt, pasi, sipas tij, gjatë këtyre ditëve KQZ-ja ka funksionuar si KZAZ dhe vendimet mund të merren me një shumicë prej katër votash.
Ndërkohë, anëtari i KQZ-së, Pandeli Varfi tha se shqetësimet dhe rregullat u ndryshuan menjëherë pas projektimit të rezultatit nga kutia e fundit. “Këtu kemi të bëjmë me futjen në lojë me ato që unë i quaj, ustallarët e zgjedhjeve. Hyjnë këta dhe fillon e vendoset një standart i ri në zgjedhjet tona”, tha ai.
Sipas tij, KQZ-ja duhet të kishte dhënë porosi që të vazhdohej me rregullin që ishte ndjekur deri në ato momente, nxjerrja të pavlefshme të këtyre fletëve.
Varfi tha se akti ka dy karakteristika, “së pari, ishte i panevojshëm dhe, e dyta, ky akt është diskriminues sepse në momentin kur fillon të funksionojë në vendin tonë janë numëruar më shumë se gjysma e kutive”. Kodi Zgjedhor në situatën e sotme, shtoi më tej ai, “përcakton në mënyrë kapitale që s’mund ta anulojë asnjëri”. “Rezultati del nga numërimi i kutive për kryetar bashkie në Tiranë. Kodi nuk lë rrugë tjetër”, tha Varfi.
Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi e quajti “absolutisht të paligjshëm projekt- aktin që po diskutohet në këto momente në KQZ”.
“Sot kemi përpara një projekt- akt të ndryshuar që në emërtimin e tij, sepse në aktin e parë u fol për bashkinë e madhe, sot përfshihen të gjitha njësitë zgjedhore të Tiranës. Ndryshimi u dytë, pjesën arsyetuese e kishte me pak fjalë, ky projekt- akt është si i veçantë në mënyrën se si është hartuar. Uroj që cilësia të rritet, por nga forma, duke dashur të justifikojë në veprim absolutisht të paligjshëm është një akt i deformuar në kontekstin ligjor, është një akt konfuz dhe kontradiktor për mënyrën se si i trajton problemet”, tha ajo./Telegrafi/


