Vajza e Dr. Florit përlotet në emision kur kujton të atin: Mungesa e tij ndjehet çdo ditë
Vajza e të ndjerit Dr. Flori, Kaltrina Kondi, ishte e ftuar këtë të premte në emisionin Goca dhe Gra, ku ndau një rrëfim prekës për babanë e saj, duke emocionuar publikun me fjalët e sinqerta dhe lotët që nuk arriti t’i mbante.
Ajo tregoi se mungesa e tij ndihet çdo ditë, ndërsa theksoi se përpiqet të ndjekë rrugën që ai kishte dëshiruar për të. “Nga tiparet ngjaj me babin. Nga tipi, ngjaj me të dy. Ajo që diskutonte babi ishte që unë të kisha një të ardhme të mirë. Të isha e shkolluar. Unë po ndjek atë që dua dhe besoj se ai është shumë krenar”, u shpreh ajo.
Kaltrina rrëfeu gjithashtu se ka periudha të vështira, sidomos kur përballet me momente që i kujtojnë mungesën e tij. “Mungesa e tij ndihet çdo ditë. Ka periudha që i kaloj shumë keq. Kur shoh të tjerët që janë në diplomim me mamin dhe babin”, tha ajo mes emocionesh.
Në vijim të intervistës, ajo u pyet edhe për lojën e Big Brother VIP, ku komentoi banorin Miri, duke u shprehur se sipas saj ai do të jetë fituesi i këtij edicioni.
“Banorët, shumë të mirë janë të gjithë. Aty është një lojë. Kanë të mirat dhe të këqijat e tyre. Por për mua, vetëm Miri. Raporti i Selin dhe Mirit është një raport i keqkuptuar. Nuk më është dukur diçka më shumë se lojë”, deklaroi ajo.
Kaltrina vlerësoi mënyrën e lojës së tij, duke theksuar se ai është ndër të paktët që nuk ka ofenduar. “Mirin e shoh si lojtarin e vetëm që nuk ka ofenduar. Shumë i fortë, ka duruar shumë. Çfarë do ndryshoja unë te Miri? Mos të ishte i mirësjellshëm me banorët që nuk ia duan të mirën”, shtoi ajo, duke përmendur edhe raportin e tij shoqëror me Rogertin.
Ajo tregoi gjithashtu se kishte qenë vetë një nga personat që e kishte nxitur Mirin të bëhej pjesë e spektaklit. “Unë i kam thënë Mirit të futej. Jam gëzuar shumë. I kemi dërguar mesazhe në ‘Big Love’. Jam shumë krenare”, u shpreh Kaltrina.
Në fund, ajo theksoi se edhe vajza e Mirit e ndjek çdo ditë spektaklin dhe pavarësisht akuzave që ai ka hasur, familja e tij vazhdon të jetë krenare për rrugëtimin e tij në lojë. /Telegrafi/


