Please enter at least 3 characters.

UEFA shpërthen ndaj Infantinos: Futbolli nuk është pronë e FIFA-s për t'u shitur

UEFA ka reaguar me tone të ashpra ndaj planeve të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për të shitur aksione në Kupën e Botës, duke e cilësuar këtë ide si një vijë që nuk duhet të kalohet kurrë.

Infantino ka qenë në qendër të kritikave pas Kupës së Botës në Amerikën e Veriut dhe së fundmi shpërtheu me akuza ndaj atyre që, sipas tij, "me laps e letër" po përhapin urrejtje dhe thashetheme të pavërteta.

Megjithatë, presidenti i FIFA-s ka shkaktuar një valë të re polemikash pasi Financial Times dhe The Times raportuan se ai po synon të shesë pjesë të aksioneve në operacionet tregtare dhe organizative të FIFA-s.

Më pas, FIFA e konfirmoi se do të "ftojë palë të treta të bëjnë investime minoritare, pa të drejtë kontrolli", në një filial të ri të quajtur FIFA Forward Enterprise (FFE).

Sipas raportimeve, kjo njësi mund të ketë një vlerë prej rreth 15 miliardë paundësh, ndërsa projekti synon të sigurojë 3.16 miliardë paund investime nga partnerë privatë për kompeticionet më të mëdha të FIFA-s.

Nëse plani miratohet, gjë që pritet të vendoset me votën e 211 federatave anëtare gjatë Kongresit të FIFA-s në muajin mars, procesi i investimeve private pritet të udhëhiqet nga Thrive Eternal, një kompani amerikane e kapitalit sipërmarrës, e themeluar nga vëllai i Joshua Kushner, kunatit të Donald Trump.

Megjithatë, UEFA e ka kundërshtuar ashpër këtë nismë, duke vlerësuar se FIFA po shqyrton një veprim që cenon parimet themelore të futbollit.

"Kjo kalon një vijë që institucionet drejtuese të futbollit nuk duhet ta kalojnë kurrë. UEFA e merr këtë çështje jashtëzakonisht seriozisht”.

“Po ashtu duhet ta marrin seriozisht edhe të gjitha federatat kombëtare, ligat, klubet, lojtarët, tifozët, qeveritë dhe kushdo që kujdeset për të ardhmen e futbollit”.

“Shpirti dhe qeverisja e futbollit nuk janë asete që mund të tregtohen, sidomos kur nuk ka asnjë transparencë se kush përfiton financiarisht”.

“Asnjëri prej nesh nuk është pronar i futbollit. Futbolli nuk është pronë e FIFA-s për t'u shitur", thuhet në deklaratën e ashpër të UEFA-s./Telegrafi/