UEFA është 'e lodhur' nga eliminimi i skuadrave të mëdha si Italia - po ndryshon rregullat e kualifikimit
Sipas mediave të huaja, UEFA ka vendosur ta ndryshojë rregullin për përcaktimin e vendit pritës në finalet e playoffit të kualifikimeve shtesë për garat kryesore të ekipeve kombëtare.
Deri më tani, vendi pritës i finales përcaktohej me short, çka nënkuptonte se edhe ekipet e renditura si më të forta mund ta luanin ndeshjen vendimtare jashtë fushe.
Sipas modelit të ri, kombëtaret nga grupi i parë i fortë do të kenë fushën e garantuar si në gjysmëfinale, ashtu edhe në finalen e playoffeve.
Kjo do t’i shpërblente ekipet që e fitojnë statusin e mbajtësve përmes kualifikimeve dhe renditjes, ndërsa UEFA synon t’i shmangë situatat kur favoritët e finales luajnë para publikut mysafir.
Italia, Danimarka dhe Turqia mes të prekureve
Ndryshimi vjen pas raundit kualifikues të Kupës së Botës 2026, ku disa kombëtare të renditura mbetën pa avantazhin e fushës vendase në finale. Mes skuadrave që u gjendën në këtë situatë u përmendën Italia, Danimarka dhe Turqia.
Rasti më i përfolur ishte ai i Italisë. Kampionët katër herë të botës dështuan sërish ta siguronin kualifikimin direkt dhe u eliminuan në fazën shtesë, duke mbetur jashtë Botërorit për herë të tretë radhazi.
AP shkroi pas eliminimit se humbja ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës pas penalltive shënoi një tjetër goditje historike për futbollin italian, pas dështimeve të mëparshme ndaj Suedisë (Botërori 2018) dhe Maqedonisë së Veriut (Botërori 2022).
🚨
🏟️ UEFA decided to change the home field advantage rule in Play-offs for major tournaments!
Until now, the hosts of the Play-off finals were randomly drawn.
This ended up forcing Pot 1 teams like 🇮🇹 Italy, 🇩🇰 Denmark, 🇹🇷 Türkiye to play the PO finals in WC 2026 qualifiers…
— Football Meets Data (@fmeetsdata) June 3, 2026
Si funksiononte sistemi i mëparshëm?
Në kualifikueset evropiane për Kupën e Botës 2026, në playoff hynin 16 ekipe: 12 ekipet e renditura në vendin e dytë në grupet kualifikuese dhe katër fitueset më të renditura të grupeve të Ligës së Kombeve që nuk kishin përfunduar në dy vendet e para të grupit të tyre kualifikues.
UEFA kishte 16 vende për Botërorin 2026, ndërsa 12 fitueset e grupeve shkonin direkt në turneun final.
Play-offet u zhvilluan në katër shtigje me nga katër skuadra. Formati ishte me një ndeshje në gjysmëfinale dhe një ndeshje në finale. Gjysmëfinalet u luajtën më 26 mars, ndërsa finalet më 31 mars 2026.
Reuters raportoi se ndeshjet gjysmëfinale i pritnin skuadrat e renditura, ndërsa vendi pritës i finales caktohej me një short shtesë.
Ky short i fundit, sipas raportimeve, pritet të hiqet. Nëse rregulli i ri zbatohet në ciklet e ardhshme, ekipet më të renditura në fazën eliminatore nuk do të rrezikojnë më ta luajnë ndeshjen vendimtare në transfertë.
UEFA po shqyrton edhe ndryshime më të gjera
Ndryshimi lidhet me një përpjekje më të gjerë të UEFA-s për rishikimin e futbollit ndërkombëtar. The Guardian ka raportuar më herët se UEFA po diskuton reforma më të mëdha në kualifikime për Kupat Evropiane dhe Botërore, me synimin për të ulur numrin e ndeshjeve më pak atraktive dhe për të rritur përballjet mes ekipeve me nivel të ngjashëm.
Një nga opsionet e përfolura është afrimi i sistemit me modelin e Ligës së Kombeve, ndërsa ndryshime të tilla nuk pritet të hyjnë në fuqi para ciklit pas Euro 2028.
Për ekipe si Italia, Danimarka dhe Turqia, ky rregull vjen shumë vonë për ciklin e Botërorit 2026, por në të ardhmen mund ta ndryshojë ndjeshëm dinamikën e play-offeve: statusi i renditjes nuk do të nënkuptojë më vetëm kundërshtar më të favorshëm, por edhe fushën e shtëpisë në ndeshjen që vendos kualifikimin. /Telegrafi/


