U përmend në dosjen e Epstein, flet Pacolli
Biznesmeni dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar publikisht pas përmendjes së emrit të tij në dosjen e Jeffrey Epstein.
Në këtë kontekst, gazeta KOHA e ka pyetur Pacollin drejtpërdrejt nëse e ka njohur Jeffrey Epsteinin, nëse është takuar apo ka pasur ndonjë komunikim me të, si dhe nëse ka vizituar ndonjëherë ishullin e tij.
Në përgjigjen e tij, Pacolli i ka mohuar kategorikisht të gjitha këto, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë kontakt apo lidhje me Epstein.
“Asnjëherë nuk jam takuar, as nuk kam komunikuar, as nuk kam qenë asnjëherë në pronat e tij. Unë vetëm tani, kur po përflitet për vdekjen e tij, dëgjoj për ekzistencën e tij”, ka deklaruar Pacolli.
Në mesazhet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, dosja Jeffrey Epstein, përmendet edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila mbante këtë pozicion në vitin 2012.
Në një email të dërguar nga një person me emrin “Daniel”, identiteti i të cilit mbetet i panjohur, thuhet: Mirë se vini në Paris. Princesha nga Tajlanda do të jetë në New York, Kombet e Bashkuara, me presidenten e Kosovës. Ajo do të donte të ju takonte nëse keni kohë këtë javë. Gjithë të mirat, Daniel.
Departamenti i Drejtësisë pretendon se një pjesë e përmbajtjes është e vështirë ose e pamundur të publikohet pa mbrojtur privatësinë, kështu që emrat dhe informacionet personale të viktimave janë fshirë pjesërisht ose plotësisht.


