Please enter at least 3 characters.

U.D. Kryeprokurori i Shtetit mori pjesë në prezantimin e raportit të OSBE-së për monitorimin e gjykimeve të rasteve të krimeve të luftës

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, mori pjesë sot në prezantimin e raportit të Misionit të OSBE-së në Kosovë për monitorimin e gjykimeve të rasteve të krimeve të luftës.

Në fjalën e tij, U.D. Kryeprokurori Qalaj theksoi se trajtimi i rasteve të krimeve të luftës përbën një nga fushat më të ndjeshme dhe më sfiduese të drejtësisë penale, duke nënvizuar se këto raste kërkojnë profesionalizëm, paanshmëri, pavarësi dhe respektim të plotë të ligjit.

Ndër të tjera U.D. Kryeprokurori Qalaj vlerësoi angazhimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në trajtimin e këtyre rasteve, duke theksuar se janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe rritjen e fokusit institucional për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës.

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Agron Qalaj theksoi se ndërtimi i rasteve të bazuara në prova, cilësia e hetimeve dhe respektimi i standardeve të gjykimit të drejtë janë elemente kyçe për garantimin e drejtësisë dhe forcimin e besimit në sistemin prokurorial.

Tutje U.D. Kryeprokurori Qalaj, duke iu referuar raportit të OSBE-së, e cilësoi atë si një kontribut të rëndësishëm për institucionet e drejtësisë dhe si një mundësi për të reflektuar mbi praktikat që mund të përmirësohen më tej.

Në përfundim të fjalës së tij U.D. Kryeprokurori Qalaj rikonfirmoi përkushtimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për të vazhduar mbështetjen ndaj Prokurorisë Speciale, me qëllim të forcimit të cilësisë, profesionalizmit dhe respektimit të të drejtave të njeriut në ndjekjen penale të rasteve të krimeve të luftës e poashtu falënderoi Misionin e OSBE-së në Kosovës dhe të gjithë profesionistët e drejtësisë për angazhimin e tyre të vazhdueshëm dhe mbështetjen e sundimit të ligjit.

Raporti i Misionit të OSBE-së në Kosovë për monitorimin e gjykimeve të rasteve të krimeve të luftës paraqet gjetjet nga shtatë vite të monitorimit sistematik të procedurave për krime lufte, duke vlerësuar përputhshmëritë me standardet vendore e ndërkombëtare për gjykim të drejtë, duke identifikuar zhvillimet e sfidat kryesore, si dhe ofron rekomandime për institucionet përgjegjëse. /Telegrafi/