Please enter at least 3 characters.

U akuzua për kurdisje të meçit me Joshuan, Kristian Prenga vjen me reagim të ashpër

Boksieri shqiptar Kristian Prenga ka reaguar ndaj pretendimeve të analistit britanik Simon Jordan, i cili hodhi dyshime mbi zhvillimin e meçit mes tij dhe Anthony Joshuas, duke lënë të kuptohej se “diçka nuk ishte në rregull”.

Prenga u përball me ish-kampionin e unifikuar të botës të shtunën në Jeddah të Arabisë Saudite dhe ishte shumë pranë një prej befasive më të mëdha në historinë e boksit.

Shqiptari e rrëzoi Joshuan me një goditje të fuqishme të djathtë brenda 20 sekondave të para dhe më pas e dërgoi sërish në tapet më vonë gjatë raundit të parë.

Megjithatë, 35-vjeçari nuk arriti ta ruante të njëjtin ritëm dhe intensitet, ndërsa Joshua u rikthye fuqishëm në raundin e dytë, duke treguar cilësitë e tij dhe duke fituar me nokaut.

Pavarësisht rikthimit spektakolar të britanikut, Simon Jordan ishte ndër zërat që hodhën teori konspirative pas meçit.

Ai deklaroi se nuk i besohej rënia e nivelit të Prengës në raundin e dytë dhe sugjeroi se gjithçka mund të ishte organizuar për të gjeneruar sa më shumë para, duke e lidhur këtë edhe me një përballje të mundshme mes Tyson Fury dhe Anthony Joshuas.

“Nuk e besoj këtë... Joshua rrëzohet dy herë dhe më pas ndryshon gjithçka. Prenga ishte krejtësisht ndryshe në raundin e dytë. Diçka nuk ishte në rregull. Gjithçka dukej e organizuar për të fituar sa më shumë para”.

Ai shtoi se udhëzimet që trajnerët i dhanë Prengës në kënd gjatë raundit të dytë e bënë të dyshonte edhe më shumë.

Në një prononcim për SveaCasino, Prenga i hodhi poshtë kategorikisht këto akuza.

“Çfarë mendoj për komentet e Simon Jordan? Janë plotësisht të pavërteta dhe është e papërgjegjshme që dikush të bëjë pretendime të tilla. Unë dhe AJ kemi integritet dhe nuk do të përfshiheshim kurrë në një marrëzi të tillë", u shpreh boksieri shqiptar.

“Ndjeva se duhej të ruaja energjinë dhe të merrja frymë. Mendova ta nisja më qetë raundin e dytë për t’u rikuperuar, por fatkeqësisht nuk funksionoi. Ai ritëm më i ngadaltë i dha Joshuas mundësinë të merrte kontrollin e meçit", tha ai.

“Çfarë mësova? Të mos sëmuresh gjatë fazës përgatitore, sepse e ndjen menjëherë mungesën e ditëve të humbura të stërvitjes dhe të punës në kondicion fizik pas raundit të parë”, përfundoi Prenga./Telegrafi/