Truri “pastrohet” gjatë gjumit: Si largohen toksinat që lidhen me Alzheimerin
Gjatë gjumit të thellë, truri aktivizon një sistem natyral pastrimi që largon proteinat e dëmshme dhe mund të ulë rrezikun nga demenca dhe sëmundjet neurodegjenerative
Derisa flemë, truri ynë nuk pushon vetëm nga aktivitetet e ditës. Përkundrazi, gjatë natës aktivizohet një sistem i ndërlikuar “pastrimi”, i cili largon substancat e dëmshme të grumbulluara gjatë ditës. Studiuesit tani besojnë se pikërisht ky proces mund të ketë rol kyç në mbrojtjen nga demenca dhe sëmundjet e tjera neurodegjenerative.
Pse gjumi është shumë më tepër se pushim?
Një analizë e re shkencore, e publikuar në revistën Science, tregon se çrregullimet e gjumit, stresi kronik, depresioni, sëmundjet kardiovaskulare dhe plakja kanë një veçori të përbashkët: ato mund të prishin ritmet natyrore të trurit që, gjatë gjumit, mundësojnë largimin e mbetjeve metabolike.
Prej kohësh dihet se të rriturve u nevojiten mesatarisht shtatë deri në tetë orë gjumë për të ruajtur shëndetin fizik dhe mendor. Megjithatë, gjetjet e reja tregojnë se gjumi nuk është vetëm periudhë rikuperimi për organizmin.
Gjatë fazave të thella të gjumit, truri aktivizon të ashtuquajturin sistem glimfatik, një rrjet i ngarkuar me largimin e proteinave të dëmshme dhe produkteve të tjera të mbeturinave që grumbullohen gjatë kohës kur jemi zgjuar.
Sipas autores së studimit, neurologes dr. Maiken Nedergaard nga University of Rochester Medical Center, gjithnjë e më shumë prova tregojnë se çrregullimi i këtij sistemi mund të jetë faktor i rëndësishëm në zhvillimin e sëmundjeve neurodegjenerative, transmeton Telegrafi.
Si “pastrohet” truri gjatë natës?
Gjatë ditës, neurotransmetues të ndryshëm, përfshirë noradrenalinën, serotoninën, dopaminën dhe acetilkolinën, veprojnë relativisht të pavarur dhe ndihmojnë në ruajtjen e vëmendjes, humorit dhe funksioneve njohëse.
Gjatë gjumit, situata ndryshon. Këto substanca kimike fillojnë të veprojnë në mënyrë të sinkronizuar, duke krijuar modele ritmike që nxisin procesin e pastrimit të trurit. Rëndësi të veçantë kanë fazat e gjumit jo REM, përkatësisht gjumi i thellë, të cilin aplikacionet për monitorimin e gjumit shpesh e shënojnë si “core” ose “deep sleep”.
Gjatë këtyre fazave ndodhin shpërthime të shkurtra të aktivitetit të trurit, të njohura si mikrozgjime. Edhe pse personi mbetet në gjumë, këto ngjarje të shkurtra nxisin një varg ndryshimesh fiziologjike.
Ato shkaktojnë zgjerimin dhe tkurrjen e enëve të vogla të gjakut, duke nxitur lëvizjen e lëngut cerebrospinal nëpër indin e trurit. Në këtë mënyrë nga truri largohen proteina potencialisht të dëmshme, ndër të cilat beta amiloidi dhe proteina tau, që konsiderohen ndër shenjat kryesore të sëmundjes së Alzheimerit.
Çfarë ndodh kur gjumi është i dobët?
Kur gjumi është i ndërprerë ose i pamjaftueshëm, ritmet natyrore të trurit çrregullohen. Pasoja është largimi më pak efikas i mbetjeve, të cilat me kalimin e kohës mund të grumbullohen.
Sot ekspertët flasin gjithnjë e më shumë për lidhjen e dyanshme mes gjumit dhe demencës. Nga njëra anë, gjumi i dobët mund të përshpejtojë grumbullimin e proteinave neurotoksike dhe të nxisë procese inflamatore në tru. Nga ana tjetër, ndryshimet e hershme të lidhura me sëmundjet neurodegjenerative shpesh e prishin vetë strukturën e gjumit.
Kështu krijohet një rreth vicioz, ku gjumi i çrregulluar përkeqëson edhe më shumë proceset që çojnë drejt dëmtimit të qelizave të trurit.
Rrahjet e zemrës si tregues i ri i shëndetit të trurit?
Një nga përfundimet më interesante të hulumtimit lidhet me ndryshueshmërinë e ritmit të zemrës gjatë gjumit. Bëhet fjalë për dallimet e vogla në intervalin kohor ndërmjet dy rrahjeve të njëpasnjëshme të zemrës.
Studiuesit kanë vërejtur se ky parametër është ngushtë i lidhur me ritmet e ngadalta fiziologjike që koordinojnë proceset e pastrimit të trurit.
Sipas tyre, ndryshueshmëria më e madhe e ritmit të zemrës gjatë gjumit mund të tregojë gjumë më cilësor të thellë dhe funksionim më efikas të sistemit glimfatik.
Nëse hulumtimet e ardhshme e konfirmojnë këtë lidhje, monitorimi i thjeshtë i ritmit të zemrës mund të bëhet një mënyrë e qasshme dhe joinvazive për identifikimin e hershëm të personave me rrezik të shtuar për rënie njohëse dhe demencë.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se nevojiten hulumtime shtesë, pasi në ndryshueshmërinë e ritmit të zemrës ndikojnë shumë faktorë, përfshirë stresin, kondicionin fizik, barnat dhe sëmundjet e zemrës.
Si të përmirësohen ritmet e natës të trurit?
Edhe pse shkenca ende po hulumton të gjitha hollësitë e këtij procesi të ndërlikuar, ekspertët theksojnë se rekomandimet për ruajtjen e shëndetit të trurit janë shumë të ngjashme me këshillat e përgjithshme për gjumë cilësor.
Shkuarja në gjumë dhe zgjimi në orare përafërsisht të njëjta, kohëzgjatja e mjaftueshme e gjumit, aktiviteti i përditshëm fizik dhe kontrolli i stresit janë hapat bazë drejt gjumit më të shëndetshëm.
Po ashtu rekomandohet shmangia e stimuluesve në orët e mbrëmjes, si dhe ulja e ekspozimit ndaj dritës së fortë të ekraneve para gjumit.
Gjumi si mbrojtje natyrale e trurit
Gjithnjë e më shumë hulumtime konfirmojnë se gjumi cilësor nuk është luks, por nevojë biologjike që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e trurit.
Gjatë natës, sistemi ynë nervor kryen një punë të ndërlikuar: largon substanca të dëmshme që, nëse grumbullohen, mund të kontribuojnë në zhvillimin e demencës.
Prandaj, ekspertët vlerësojnë se ruajtja e zakoneve të shëndetshme të gjumit mund të jetë një nga mënyrat më të rëndësishme dhe më të qasshme për ruajtjen afatgjatë të funksioneve njohëse dhe uljen e rrezikut nga sëmundjet neurodegjenerative. /Telegrafi/


