Trump tha se dëshiron të ndërpresë të gjithë tregtinë me Spanjën, erdhi përgjigjja nga Madridi
Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se dëshiron të ndërpresë të gjitha marrëdhëniet tregtare me Spanjën, duke e kritikuar ashpër Madridin për kontributin e pamjaftueshëm në NATO.
Gjatë një konference për media në Ankara, ku ishte së bashku me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump e quajti Spanjën një “partner të tmerrshëm” brenda Aleancës dhe tha se vendi nuk po kontribuon mjaftueshëm.
“Spanja nuk merr pjesë sa duhet. Nuk paguan sa duhet. Nuk dua të kem asgjë me Spanjën. Po ndërpresim të gjithë tregtinë me Spanjën, përfshirë edhe vizitat”, deklaroi Trump, duke thënë se i ka dhënë udhëzime administratës së tij për të ndalur marrëdhëniet tregtare me këtë vend.
Trump kritikoi gjithashtu Madridin për qëndrimin ndaj shpenzimeve ushtarake në NATO, shkruan euronews.
Spanja është përballur prej kohësh me presionin e aleatëve për të rritur buxhetin e mbrojtjes dhe ka qenë një nga vendet që nuk është angazhuar për objektivin e ri të shpenzimit prej 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtje deri në vitin 2035.
Qeveria spanjolle reagoi ndaj deklaratave të Trumpit duke thënë se kërcënimet e tij i konsideron pjesë të mënyrës së zakonshme të negociimit dhe theksoi se Spanja ka marrëdhënie të shkëlqyera ekonomike, sociale dhe kulturore me Shtetet e Bashkuara.
Nga Madridi u tha se nuk ka interes që këto marrëdhënie të ndryshojnë dhe se Spanja mbetet një aleat i rëndësishëm brenda NATO-s dhe një partner i besueshëm tregtar i SHBA-së.
Tensionet mes Uashingtonit dhe Madridit janë rritur për shkak të mosmarrëveshjeve rreth shpenzimeve të mbrojtjes, ndërsa udhëheqësit evropianë kanë bërë thirrje për ruajtjen e unitetit brenda Aleancës. /Telegrafi/


