Trump skeptik për planin: Irani ende nuk e ka paguar çmimin
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se po e shqyrton propozimin e ri të bërë nga Irani për t’i dhënë fund luftës, por u shpreh skeptik në lidhje me të.
“Do t’ju vë në dijeni më vonë. Pres një fjalë prej tyre”, deklaroi Trump përpara se të hipte në “Air Force One”.
Ndërsa më vonë, presidenti republikan përsëriti qasjen e tij fillestare, por nuk ofroi më shumë informacione mbi propozimin apo pikat e tij.
“Unë do ta shoh planin që na ka dërguar Irani, por nuk besoj se do të jetë i pranueshëm pasi ata nuk e kanë paguar ende çmimin për atë që i kanë bërë njerëzimit dhe botës në 47 vitet e fundit”, deklaroi Trump.
Ndryshe, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) ka deklaruar se presidenti amerikan, Donald Trump, duhet të zgjedhë mes një “lufte të pamundur” ose një “marrëveshjeje të keqe” me Iranin.
Në një postim në rrjetin social amerikan X, departamenti i inteligjencës i IRGC-së tha se Teherani i ka dërguar ushtrisë amerikane një afat për përfundimin e bllokadës ndaj porteve iraniane.
Departamenti iranian gjithashtu theksoi se Evropa, Kina dhe Rusia po mbajnë një ton më kritik ndaj SHBA-së. /Telegrafi/


