Trump: Irani nuk ka më asnjë shans të ndërtojë armë bërthamore
Presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur se Irani nuk do të ketë armë bërthamore, duke deklaruar se Teherani ishte shumë pranë arritjes së këtij objektivi, por tashmë “nuk ka asnjë shans”.
Trump i bëri komentet gjatë një aktiviteti përkujtimor të 11 Shtatorit në Uashington, ku foli për përplasjen e vazhdueshme me Iranin.
“Po luftojmë tani sepse kemi një shtet të caktuar që donte një armë bërthamore”, deklaroi Trump, duke iu referuar Iranit.
Sipas presidentit amerikan, Teherani ishte “shumë pranë” sigurimit të një arme të tillë, por situata tashmë ka ndryshuar.
“Dhe tani ata nuk kanë asnjë shans për ta marrë atë. Irani nuk do të ketë armë bërthamore”, tha Trump, transmeton Telegrafi.
Parandalimi i Iranit nga sigurimi i armëve bërthamore ka qenë një prej argumenteve kryesore të administratës Trump për veprimet ushtarake ndaj Teheranit.
Trump e ka përsëritur vazhdimisht se Irani nuk duhet të lejohet të posedojë armë bërthamore, duke e paraqitur këtë si një prej objektivave kryesore të konfliktit.
Deklaratat e fundit të presidentit amerikan vijnë në një moment kur tensionet SHBA-Iran mbeten të larta dhe çështja e programit bërthamor iranian vazhdon të jetë në qendër të përplasjes mes dy vendeve.
Trump, megjithatë, nuk dha detaje të reja në lidhje me atë se çfarë provash apo vlerësimesh konkrete mbështesin deklaratën se Irani tani nuk ka më mundësi të zhvillojë një armë bërthamore. /Telegrafi/


