Please enter at least 3 characters.

Triumfi mbi primitivizmin tonë

Kryefamiljari kishte ardhur para ditës së caktuar dhe i kishte kërkuar falje babait të nuses. I tha se njëri nga krushqit, që do t’i vinin, është i çmendur. Miku e kuptoi dhe e falënderoi që po i tregonte më herët. Ditën e dasmës, krushqit erdhën për të marrë nusen dhe miqtë i pritën si është më së miri. Papritmas, njëri nga krushqit filloi të sillej si i çmendur dhe të fliste pa lidhje. Babai i nuses iu afrua babait të dhëndrit dhe e pyeti nëse ky ishte i çmenduri, për të cilin i kishte folur. Me një habi që iu vizatua në fytyrën e zbehtë, ky ia ktheu: “Jo, nuk është ai. Ky u çmend tani”.

Ka shumë vjet që interesohem për gjithçka që ndodh në Shqipëri. Për politikën, ekonominë, jetën kulturore, artin, sportin, për gjithçka në këtë pjesë të trungut tonë. Megjithatë, asnjëherë të vetme nuk kam dëgjuar dikën që t’i etiketojë sportistët (dhe jo vetëm ata) që dalin e bëhen grekë, për një fanelle shtetërore apo për një copë bukë. Shqiptarët që ndërrojnë kombësinë, që ndërrojnë emrin, mbiemrin, vetëm e vetëm për një fanelle të “lodhtë” sportive. Që harrojnë gjithçka që lidhet me Shqipërinë. As Armand Dukën kurrë nuk e kam dëgjuar, as parë e as lexuar të thotë diçka për ta. Kurrgjë, hiq, kurrë!

Dhe para disa ditësh, në një natë që duhej të ishte e mrekullueshme, jo vetëm që pamë fytyrën plot përbuzje të Dukës - kur përshëndeste njërin nga djemtë që janë krenaria jonë në botë - por pamë dhe dëgjuam një shfrim të llahtarshëm huliganesk e racist të tifozëve Kuq e Zi. Dhe, ne nuk e pritnim këtë nga ta. Jo, kurrsesi nga ta! Nga një si Duka mund të prisnim gjithçka - nga ryshfeti për t’u bërë pjesë e kombëtares, e deri te etiketimet “tradhtar” - por nga TKZ-të jo! Dhe kënd e shanin TKZ-të tanë në një mbrëmje që duhej të na mbushte krenari?

Evropa është tregu më i vështirë për të gjitha punët dhe profilet e botës. Tregu i futbollit është i tmerrshëm. Krejt djelmoshat e talentuar dhe të shëndetshëm të kësaj bote, synim kanë Evropën. Brenda Evropës, përqindja e atyre që ia dalin në këtë garë është e frikshme. Vetëm 1 në 15 000 futbollistë të rinj ia arrijnë të luajnë njëfarë futbolli profesionist. Për liga të para dhe për kombëtaret evropiane lufta është një arenë e vërtetë gladiatorësh. Vetëm më të fortët, më të talentuarit dhe më konsekuentët ia dalin. Ata janë ajka e gladiatorëve modernë. Dhe ata hyjnë në arenë kryelartë, sepse janë të zgjedhur. Shumë të zgjedhur!

Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Blerim Xhemajli, Admir Mehmedi dhe shumë shqiptarë të tjerë janë në mesin e këtyre kolosëve. Janë të farës sonë që na përfaqësojnë në teatrin më madhështor të botës. Dhe, nuk ka qenë e lehtë që të jenë aty ku janë. Të pajisur me cilësi të dalluara dhe të mbështetur nga shteti dhe shoqëria helvetike, ata kanë shpërthyer dhe na kanë mbushur krenari. Veten e tyre, familjet e tyre, diasporën dhe tërë shqiptarët kudo që janë. Ata, sikur shkroi një ditë Adriatik Kelmendi, janë shqiptarët e bardhë - për dallim nga shqiptarët e kronikave të zeza. Shqiptarët e shkëlqyer që i tregojnë botës cilësi të dalluara të gjenit tonë.

Dhe, Tifozat Kuq e Zi e thërrisnin Valon Behramin me fyerje raciste. Atë Valonin që na e ka dërguar emrin Kosovë nëpër ligat më të forta evropiane dhe atë djalosh që ka detyruar mediat botërore të shkruajnë për të dhe për vendin e tij. Tifozët Kuq e Zi (dhe jo vetëm ata) po shajnë heronjtë tanë në Evropë. Në atë Evropë, të cilën e aspirojmë dhe drejt së cilës po themi se po shkojmë. Të martën në mbrëmje u takuam me pjesën tonë të butë, me pjesën tonë evropiane. Dhe TKZ-të dhe pjesa jonë primitive u çmendën. Nën një histeri të llahtarshme që s’mund të fshihte inferioritetin, filluan të etiketojnë të gjithë ata që ishin ndryshe. Dhe shih çudinë: ata stigmatizonin me shprehje nacional-folklorike që moti kanë mërguar nga civilizimi modern evropian.

Megjithatë, civilizimi evropian, ai që i ka bërë këta djelmosha të jenë këta që janë, triumfon. Valoni, edhe pas të qenit cak i këtij vulgariteti primitiv, triumfon. Triumfon mbi veten, triumfon mbi nacional-racizmin tonë dhe na tregon çfarë është qytetaria, çfarë është Evropa. Disa minuta më vonë, ai i fal dhe i kupton këta folklorikë. Për më tepër, ai është krenar për ata, që përkundër kushteve të mjerueshme, kanë ardhur t’i shikojnë shqiptarët që janë protagonistë të teatrit më të njohur të Evropës.

Valoni i kupton dhe i fal TKZ-të. Graniti i buzëqeshur shtrëngon duart me ata që i thonë tradhtar. Xherdani dhe të tjerët shqiptarë të bardhë e arsyetojnë këtë shfrim vulgar të vëllezërve të tyre të një gjaku. Prandaj, të martën në mbrëmje, shqiptarët e Evropës nuk na kanë mposhtur vetëm në fushën e blertë. Ata kanë triumfuar mbi primitivizmin tonë. Dhe po ndërtojnë një emër të ri për shqiptarët. Definitivisht, shumë më të mirë!