Please enter at least 3 characters.

Tri parti politike në Luginë përkrahin kandidaturën e Faton Bislimit për president të Kosovës

Partia për Veprim Demokratik (PVD), Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe Partia Demokratike (PD) në Luginën e Preshevës kanë dalë me deklaratë të përbashkët, duke shprehur mbështetjen për kandidaturën e Faton Bislimit për President të Republikës së Kosovës.

Në deklaratë, partitë shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kanë thënë se e shohin Bislimin si figurë “mbipartiake, të pavarur dhe unifikuese”, e cila, sipas tyre, është e përshtatshme për rrethanat aktuale politike në Kosovë.

“Ne, përfaqësuesit e partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës, duke u nisur nga përgjegjësia jonë politike dhe kombëtare ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe nga nevoja për forcimin e lidhjeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës, shprehim përkrahjen tonë për z. Faton Bislimi si kandidat për President të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Sipas tyre, përvoja dhe angazhimi publik i Bislimit ndër vite dëshmojnë aftësinë e tij për të bashkëpunuar përtej vijave partiake, duke vendosur, siç shprehen ato, interesin shtetëror të Kosovës dhe marrëdhënien strategjike me Shtetet e Bashkuara mbi interesat partiake.

Një prej arsyeve kryesore për mbështetjen, sipas partive të Luginës, është angazhimi i Bislimit për çështjen e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në Shtetet e Bashkuara.

Në deklaratë thuhet se për më shumë se dy dekada, Bislimi ka përdorur marrëdhëniet e tij në Washington për ta mbajtur këtë çështje në vëmendjen e politikëbërësve amerikanë, veçanërisht në Kongresin dhe Senatin amerikan.

Partitë pretendojnë se ky angazhim ka qenë bipartiak dhe se Bislimi ka bashkëpunuar apo ndërmjetësuar komunikime me përfaqësues të të dyja partive kryesore në SHBA.

Në mesin e personaliteteve amerikane të përmendura në deklaratë janë senatorët Joni Ernst dhe Gary Peters, si dhe kongresistët Jim Himes, Jim McGovern dhe Keith Self.

Sipas deklaratës, Bislimi ka kontribuar në organizimin e takimeve me anëtarë të Kongresit dhe Senatit amerikan, informimin e institucioneve amerikane për gjendjen e shqiptarëve në Luginë, përcjelljen e kërkesave të përfaqësuesve politikë shqiptarë dhe sigurimin e deklarimeve publike në mbështetje të të drejtave të tyre.

Partitë e Luginës vlerësojnë se kjo përvojë do t’i shërbente edhe Republikës së Kosovës nëse Bislimi do të zgjidhej president.

“Ne besojmë se kjo përvojë do t'i shërbente Republikës së Kosovës në mënyrë të veçantë nëse z. Bislimi do të zgjidhej President. Kosova ka nevojë për një President që mund të komunikojë me të gjitha forcat politike brenda vendit dhe me të dyja krahët e politikës amerikane jashtë vendit”, thuhet në deklaratë.

Në fund, PVD, PDSH dhe PD e kanë cilësuar Bislimin si kandidat serioz për një zgjidhje konsensuale, mbipartiake dhe unifikuese në interes të Kosovës dhe shqiptarëve./Telegrafi/