Please enter at least 3 characters.

Trepça vazhdon me rekord negativ në FIBA Europe Cup, mposhtet nga Anwili

Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, nuk ka arritur të ndalë serinë e rezultateve negative në “FIBA Europe Cup”.

Të mërkurën, në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, skuadra mitrovicase pësoi humbjen e tretë radhazi, duke u mposhtur nga Anwili polak me rezultatin 97:87.

Ndeshja nisi në favor të mysafirëve, të cilët dominuan çerekun e parë 32:23. Trepça reagoi në çerekun e dytë, duke fituar 18:12 dhe rikthyer shpresën për rikuperim.

Megjithatë, vendimtare rezultoi periudha e tretë, ku polakët arritën të krijojnë një epërsi vendimtare 27:16.

Çereku i fundit u fitua nga mitrovicasit 30:26, por kjo nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.

Te Trepça, më efikas ishin Mustapha Amzil dhe Jacori Payne, secili me nga 17 pikë. Amzil shënoi edhe pesë kërcime dhe një asist, ndërsa Payne kontribuoi me katër kërcime dhe dy asistime.

Kjo ishte humbja e tretë e Trepçës në garën europiane, pas dy disfateve të mëparshme: 85:74 ndaj PAOK-ut në Greqi dhe 84:70 kundër Braunschëeigut në Mitrovicë.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Adis Beqiragic duket se po kalon një periudhë të vështirë, pasi dy humbje ka pësuar edhe në Superligën e Kosovës, përfshirë atë ndaj Bashkimit të Prizrenit të dielën e kaluar./Telegrafi/