Trepça po ringjallet për edicionin e ri
Lajmin e ka dhënë drejtori sportiv i Trepçës, Naim Hajrizi. Ai shprehet se basketbollisti grek pritet që për 7-10 ditë t’i bashkohet skuadrës mitrovicase.
“Kemi arritur marrëveshje me Jorgos Topuzidis. Ai luan në pozitën 2 dhe së fundi ka luajtur në Ligën e Parë të Greqisë. Presim për 7-10 ditë t’i bashkohet skuadrës tonë. Ne kemi filluar stërvitjet dhe jemi duke u përgatitur për sezonin e ri”, deklaroi Hajrizi për ‘Sport Plus’.
Edhe një vendor
Trepça ditë më parë ka arritur marrëveshje edhe me dy basketbollistë amerikanë dhe një nigerian. “Deri më tani jemi përforcuar me katër basketbollistë të huaj. Për momentin nuk ka ndonjë emër tjetër. Presim që deri më 15 shtator t’i bashkohen skuadrës në stërvitje, e më pas do të shohim se si do të komponohen”, vazhdoi më tej Hajrizi.
Emrat e përforcimeve të Trepçës janë: Tim Owens, Mikhail Torrance dhe Kelechi KC Anuna. Por, ‘Xehetarët’ nuk e kanë ndërmend të ndalen me kaq. Ata janë në bisedime edhe me një basketbollist vendor.
“Ne jemi në bisedime me të. Emrin për momentin nuk mund t’ia them. Kemi basketbollistë të rinj që premtojnë shumë në të ardhmen. Trajneri Ilir Selmani është duke punuar me vendorët. Do të shohim a do të përforcohemi me tjerë basketbollistë vendor”, përfundoi Naim Hajrizi.
Së fundi nga skuadra e Trepçës u larguan Besnik Azemi, Imer Tahiri dhe Korab Prekazi, të cilët aventurën e vazhduan në Vëllaznim të Gjakovës. /Telegrafi/


