Tre të arrestuar në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, sekuestrohen drogë dhe para
Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në magjistralen Ferizaj–Prishtinë, nën dyshimin për posedim dhe shitje të substancave narkotike.
Sipas policisë, rreth orës 23:30 janë ndaluar dy automjete në të cilat ndodheshin tre të dyshuar, meshkuj kosovarë.
Gjatë kontrollit, tek njëri prej tyre është gjetur një cigare e mbështjellë me substancë të dyshuar të llojit marihuanë me peshë 0.9 gram, si dhe 330 euro para të gatshme.
Hetimet kanë vazhduar me kontrollin e banesës së të dyshuarve, ku policia ka sekuestruar 33 qese me substancë të dyshuar të llojit marihuanë me peshë totale 96 gram, katër qese me substancë të dyshuar të llojit kokainë me peshë 0.34 gram, si dhe 1 mijë euro para të gatshme, të cilat janë konfiskuar në cilësinë e provave materiale.
Pas arrestimit dhe intervistimit, me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa rasti po hetohet. /Telegrafi/


