Please enter at least 3 characters.

Torres dënon deklaratën e Paunoviqit: Është përqafim i hapur i gjenocidit, duhet të japë dorëheqje

Kongresisti amerikan Ritchie Torres ka dënuar ashpër deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila kishte thënë se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte kryer "spastrimin etnik të Kosovës".

Torres e cilësoi këtë qëndrim si "moralisht të dënueshëm" dhe si një "përqafim të hapur të gjenocidit" ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Deklarata e Snezhana Paunoviqit se ajo do ta kishte kryer spastrimin etnik të Kosovës nëse do të ishte në vendin e Millosheviqit është moralisht e dënueshme dhe një përqafim i hapur i gjenocidit ndaj popullit shqiptar. Kosova kishte të drejtë ta ndalonte hyrjen e saj në vend dhe ajo duhet të japë dorëheqje të menjëhershme nga posti”, ka deklaruar Torres për Gazetën Express.

Ai ka mbështetur edhe vendimin e institucioneve të Kosovës për ta shpallur Paunoviqin person non grata, duke theksuar se ndalimi i hyrjes së saj në Kosovë ishte i justifikuar.

Ndërkohë, lidhur me deklaratën e ministres serbe është deklaruar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

Torres ka theksuar se prioritet i Shteteve të Bashkuara mbetet ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke nënvizuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për arritjen e këtij qëllimi.

Nga Departamenti Amerikan i Shtetit u është bërë thirrje politikanëve që, përmes gjuhës dhe retorikës që përdorin, të kontribuojnë në avancimin e paqes dhe dialogut në rajon.