Tjetër përçarje te Real Madridi: Lojtarët spanjollë të pakënaqur me menaxhimin e Alvaro Arbeloas
Një përçarje e re thuhet se po rritet brenda zhveshtores së Real Madridit, ku një grup futbollistësh spanjollë janë shprehur të pakënaqur me mënyrën se si po e menaxhon skuadrën trajneri Alvaro Arbeloa.
Sipas raportimeve të “El Mundo”, lojtarë si Dani Carvajal, Dean Huijsen, Raul Asencio, Dani Ceballos, Gonzalo Garcia, Alvaro Carreras dhe Fran García besojnë se Arbeloa po e neglizhon “bërthamën spanjolle” të ekipit, duke u fokusuar kryesisht te yjet ndërkombëtarë sa herë që del në media.
Raporti thekson se tensionet janë shtuar edhe më shumë pas vendimit të Arbeloas për ta lënë jashtë listës së ndeshjes Alvaro Carrerasin, pasi trajneri dyshohet se nuk ka qenë i kënaqur me etikën e punës së mbrojtësit.
Në të njëjtën kohë, disa futbollistë mendojnë se Arbeloa po u beson tepër lojtarëve të rinj, duke krijuar pakënaqësi te pjesa tjetër e grupit.
Kjo klimë e brendshme, sipas të njëjtit burim, ka ndikuar edhe në rritjen e spekulimeve në media rreth së ardhmes së disa emrave të njohur, përfshirë Eduardo Camavinga, çka e ka bërë edhe më të rënduar atmosferën në ekip.
Madje, raportohet se në javët e fundit ka pasur edhe përplasje të drejtpërdrejta mes lojtarëve, të cilat nuk janë kufizuar vetëm brenda fushës së lojës./Telegrafi/


