Thonjtë “efekt sapuni” janë trendi më i ri i vjeshtës: Irina Shayk tregoi se si duket eleganca e qetë dhe luksoze
Nuancat neutrale dhe shkëlqimi i butë po rikthejnë elegancën e pastër
Ndërsa skena e modës dhe e bukurisë këtë vjeshtë po kthehet drejt toneve të qeta dhe romantike, një gjë është e sigurt: gjithçka që është tepër e zhurmshme, me shkëlqim apo ekstravagante mbetet në hije. Në vend të nuancave të forta dhe dizajneve të komplikuara, në plan të parë vjen ngrohtësia, butësia dhe eleganca e thjeshtë. Dhe pikërisht aty, pothuajse pa u vënë re, ka shkëlqyer një prej trendeve më të rafinuara - “soap nails”, ose “thonjtë efekt sapuni”.
Ky trend është rikthyer fuqishëm falë Irina Shayk, e cila në një event të fundit të Victoria’s Secret mbante një manikyr që dukej sikur vinte nga një spa luksoze. Nuancat lehtësisht qumështore, rozë e butë ose krejt neutrale të mbuluara me një shtresë shumë të hollë xheli transparent, i dhanë duarve të saj një shkëlqim të butë “të lagësht”, pikërisht atë efekt kur duken sikur sapo i keni larë. Nga ky detaj ka marrë emrin edhe trandi - “soap nails”.
Për kë është ideal ky trend?
Për të gjithë ata që duan minimalizëm dhe një pamje të pastër e të kuruar pa teprime. Në një kohë kur shumë njerëz lodhen nga shkëlqimet dhe dekorimet e tepërta para sezonit festiv, “soap nails” ofrojnë një pauzë të nevojshme: thonjtë janë të pastër, të thjeshtë dhe jashtëzakonisht elegantë, transmeton Telegrafi.
Si të arrini thonjtë “soap nails” si Irina Shayk?
Çelësi është te detajet, por jo te dekorimet, te rregullsia.
Ja çfarë është e rëndësishme:
▪ Thonjtë duhet të jenë të pastër, të shkurtër dhe bukur të formuar
▪ Rekomandohet një piling i lehtë dhe rregullim i i kutikulave që duart të duken të buta e të kuruara
▪ Baza është e domosdoshme
▪ Pas saj zgjidhni tonet e buta: të bardhë qumështor, bezhë, rozë shumë të lehtë ose tamam “nude”
▪ Shkëlqimi është ai që bën diferencën
- Xheli përfundimtar ose llaku transparent vendoset në një shtresë shumë të hollë. Ky është triku që krijon efektin “të pastër”, shkëlqimin e butë, jo të fortë, por të dukshëm
▪ Pa dekorime shtesë
- Pa kristale, shkëlqim, vija apo figura. Në këtë trend vlen rregulli: më pak është vërtet më shumë.
Pse janë hit “soap nails”?
Sepse duken luksoze, por njëkohësisht natyrale. Si një zgjatim i lëkurës. Si duar që janë të buta, të pastra dhe të kuruara në mënyrë të përsosur, pa asnjë detaj të tepruar. Dhe pikërisht në këtë elegancë të qetë qëndron fuqia e tyre.
Nuk është çudi që i zgjedhin supermodelet dhe gratë që preferojnë estetikën e rafinuar dhe subtile. “Soap nails” janë perfektë për përdorim të përditshëm, por po aq të përshtatshëm edhe për momente festive, kur kërkoni elegancë pa përpjekje të tepërt.
Në sezonin e ngjyrave të ngrohta, të bollëkut dhe të mbingarkesës vizuale, ky trend sjell një histori krejt tjetër, një histori qetësie, minimalizmi dhe feminiliteti. /Telegrafi/


