Please enter at least 3 characters.

Thjesht hyjnore: Vizionet e jashtëzakonshme të mbinatyrshme të Francisco de Zurbaránit

“Krishti i kryqëzuar me një piktor” (detaj)

Foto: Federico Pérez/ Arkivi Fotografik, Muzeu Kombëtar i Prados

Pikturoi beteja detare, mundimet e Herkulit dhe natyra të qeta marramendëse. Por, siç e bën të qartë një ekspozitë e re madhore, në paraqitjet e tij emocionale të shpirtërores mjeshtri spanjoll tregoi gjenialitetin e tij të vërtetë.

Nga: Charlotte Higgins / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Përballë një sfondi të zi të padepërtueshëm, figura e kryqëzuar duket e zbehtë dhe ndritshme. Nuk ka pothuajse fare ngjyrë, përveç një rrjedhjeje të vogël gjaku në këmbët e Krishtit nga gozhdët e futura në mishin e tij. Koka i varet dhe fytyra e pikturuar me kujdes është në paqe (këtu nuk ka agoni). Por, pjesa më mbresëlënëse e pikturës është me siguri rroba e belit, e cila paloset, rrudhoset dhe mblidhet rreth mesit të tij - mund të imagjinosh të kalosh dorën mbi të, duke ndier palosjen dhe teksturën e lirit. Në vendndodhjen e saj origjinale, manastirin e San Pablo el Realit në Sevilje, piktura u ekspozua me “pak dritë”, sipas artistit dhe shkrimtarit spanjoll të shekullit XVII, Antonio Palomino. “Çdokush që e sheh dhe nuk e njeh, beson se është skulpturë.” Zbehja e trupit dhe pëlhura duhet të jenë dalë nga errësira si një vegim.

Francisco de Zurbarán, i cili pikturoi këtë Krisht të kryqëzuar të vetmuar, është një nga tre artistët e mëdhenj të Spanjës së shekullit XVII. Por, ndryshe nga bashkëkohësit e tij Diego Velázquez dhe Bartolomé Esteban Murillo, ai nuk ka pasur kurrë ekspozitë vetëm për vete në Mbretërinë e Bashkuar - deri tani, ndërsa veprat e tij përbëjnë bazën e një ekspozite të madhe që pritet të hapet në Galerinë Kombëtare në Londër. Krahasuar me bashkëkohësin e tij të saktë dhe mikun Velázquez (lindur më 1599, një vit pas Zurbaránit), puna e tij mund të duket e qetë, e patrazuar. Mund ta shohësh qartë kontrastin në veprat që përkujtojnë suksesin ushtarak spanjoll, kur secili prej tyre u porosit të pikturonte për pallatin e ri të Philip IV të Spanjës, Buen Retiro. Të dyja janë tani në Prado. Mbrojtja e Kadizit kundër anglezëve e Zurbaránit ka cilësinë e një cohe, ndërsa gjeneralët spanjollë shikojnë poshtë me qetësi drejt betejës detare që zhvillohej më poshtë. Dorëzimi i Bredës i Velázquezit është plot dramë, takim: zhivë e shpejtë që kap kohën teksa ajo ikën.

Aftësia e Zurbaránit është ndryshe. Ai është artist i vizionit të brendshëm, i meditimit dhe i soditjes. Koha nuk ikën, por qëndron në vend. Ka një cilësi paradoksale, duke të bërë të pyesësh se çfarë është ajo që po shikon, pjesërisht sepse ai mund ta bëjë jomaterialen të duket solide dhe e prekshme, pjesërisht sepse ndonjëherë veprat e tij paraqesin njëkohësisht dy plane të realitetit.

Një përthyerje e dyfishtë e jorealitetit ... “Shfaqja e Shën Pjetrit te Shën Pjetër Nolasko”Foto: Federico Pérez / Arkivi Fotografik, Muzeu Kombëtar i Prados

Analizoni një nga të parat në ekspozitën e Galerisë Kombëtare: Shfaqja e Shën Pjetrit te Shën Pjetër Nolasko - ky i fundit shenjtë duke qenë themelues i urdhrit të fretërve mercedarianë, misioni i të cilëve ishte të shëronin të krishterët e tjerë që ishin kapur nga myslimanët gjatë konflikteve në Mesdhe. (Vepra ishte një nga dy duzina të porositura në vitin 1629, në fillim të karrierës së Zurbaránit, për manastirin e Merked Kalzadës në Sevilje, tani i qasshëm si Muzeu i Arteve të Bukura të qytetit.)

Shën Pjetër Nolasko është në të djathtë, i veshur me të bardha, dhe ai “sheh” Shën Pjetrin - të kryqëzuar me kokën poshtë - duke qëndruar pezull mbi një sfond resh okër. Por, Shën Pjetër Nolasko mezi duket se është vetë në sferën e reales. Ne nuk jemi “me” të, kudo që mund të jetë (sfondi i errët është tërësisht abstrakt). Piktura duket sikur ofron veten si një përthyerje e dyfishtë e jorealitetit, sikur të ishte vetë një vegim.

Kishte arsye të mira teologjike për të pikturuar në këtë mënyrë në atë kohë: në vijim të Këshillit të Trentit, vendimet e të cilit përcaktuan kundër-reformacionin, arti fetar u ngarkua me një qëllim të drejtpërdrejtë dhe të qartë: të shtynte shikuesin drejt përkushtimit. Përveç rreth një viti që ai kaloi në Madrid duke pikturuar për oborrin në mesin e viteve 1630, karriera e tij ishte kryesisht e bazuar në Sevilje, dhe klientët e tij ishin kryesisht institucionet fetare jashtëzakonisht të fuqishme të qytetit dhe të rajonit më të gjerë.

Në atë kohë, Sevilja ishte jashtëzakonisht e begatë. Që nga viti 1503, kishte një monopol mbi tregtinë me pronat mbretërore spanjolle në Amerikë - një status nga i cili Francisco de Zurbarán përfitoi, duke dërguar më shumë se 100 piktura për eksport në Lima, Buenos Aires dhe gjetkë. Zurbaráni siguroi edhe skena laike për Buen Retiron e Philipit - përveç betejave të tij detare në Kadiz, 10 piktura të Herkulit duke kaluar nëpër mundimet e tij, si dhe një kokë e çuditshme, gjigante e një burri që të trondit kur shihet përmes linjës së dhomave në Galerinë Kombëtare. Por, në pikturat e hyjnores dhe shpirtërores ai shkëlqeu.

Një nga shumë pikturat që kanë motiv HerkulinFoto: Arkivi Fotografik, Muzeu Kombëtar i Prados

Ndonjëherë këto porosi ishin në një shkallë mahnitëse dhe duhet të kenë kërkuar studio të madhe - si në 24 pikturat për Merked Kalzadën në Sevilje, ose në altarin 15 me 10 metra për manastirin kartuzian të Zonjës Mbrojtëse [Nuestra Señora de la Defensión], pak jashtë Herez de la Fronterës. Murgjit e fundit u larguan së fundmi dhe tani është e mundur të vizitohet ky kompleks prej guri me ngjyrë mjalti, me fasadën e tij baroke të vendosur mbi pjesën e përparme të fasadës së mëparshme të Rilindjes së shekullit XV. Por, atje, në kishë, duhet të imagjinosh forcën e plotë të altarit të Zurbaránit, me një duzinë pikturash të vendosura midis skulpturave të arta, pasi, në vijim të luftërave napoleonike dhe shpërbërjes së manastireve të Spanjës në vitin 1835, këto - si shumë vepra të tjera në kishat spanjolle - u shitën dhe u shpërndanë.

Studiuesit kanë debatuar për vendosjen origjinale të altarit. Rindërtimi i supozuar i Galerisë Kombëtare e vendos Virgjëreshën e ulur në fron të Zurbaránit në pozicionin më të dukshëm, të shoqëruar nga Adhurimi i Magëve dhe Rrethprerja. Nëse galeria ka të drejtë në mbështetjen e këtij rindërtimi, do të jetë hera e parë që këto vepra vendosen pranë njëra-tjetrës.

Nga madhështia në shkallë te intimiteti dhe qetësia: disa nga veprat më prekëse të Zurbaránit nuk janë këto skena të ngarkuara dhe të gjalla të shenjtorëve dhe tregimeve biblike, por natyrat e tij të qeta në shkallë të vogël. Ai ishte piktor i jashtëzakonshëm i teksturës dhe peshës së gjërave. Në një vepër në Muzeun e Arteve të Bukura të Seviljes - jo në ekspozitën e Londrës - pjesa më tronditëse e skenës së vizitës së Shën Ugos te themeluesit e kartuzianëve është, për mua, jo mrekullia e mishit që kthehet në hi, madje as fytyrat e rrepta të murgjve, por buka e hollë dhe lëmueshmëria e enëve qeramike të kaltra e të bardha që, në bazë, bëhen të ashpra dhe të palustruara.

Shën Ugo në mensën kartuzianeFoto: Alamy

Djali i Zurbaránit, Juan de Zurbarán - i cili vdiq në shpërthimin katastrofik të murtajës që i hoqi Seviljes begatinë dhe gjysmën e popullsisë së saj në vitin 1649 - pikturoi natyra të qeta që ofrojnë një kontrast interesant me ato të të atit. Ato janë më joshëse, më të mbushura me zambakë, karafila, jasemin, dardha dhe limona se ato të të atit, ku secili objekt qëndron në hapësirën e vet, i vetëpërmbajtur. Ashtu si në pikturat e tij të vizioneve të hyjnores, një radhë e vogël enësh dhe vazosh në shkallë të vogël, e realizuar në fund të karrierës së tij, rreth vitit 1650, ndriçon përballë një sfondi varri.

Një vepër më e hershme, nga viti 1633, ka një pjatë me citronë që reflektojnë ar në pjatën e tyre prej argjendi; një shportë me portokaj, e plotë me një degëz gjetheje dhe lulesh (me saktësi, pasi portokajtë lulëzojnë dhe japin fruta njëkohësisht) dhe një kupë uji që qëndron në një enë prej argjendi me një trëndafil të vendosur në buzën e saj. Frutat dhe lulet mund të lexohen si simbole të hyjnores. Por, ashtu si me pikturat e vizioneve të Francisco de Zurbaránit, këto vepra duket se të ftojnë në iluzionin se po sheh gjëra të prekshme, objekte mbi sipërfaqet e të cilave dëshiron të kalosh gishtat - dhe, diçka të botës tjetër, gjëra që nxisin soditjen e mbinatyrshmes.

Pothuajse të prekshme ... Një kupë uji dhe një trëndafilFoto: Galeria Kombëtare, Londër

Paqartësia në atë për çfarë ftohemi është më e fortë dhe më bindëse në veprën e fundit të ekspozitës. Ajo është e vogël, dhe mund ta kalosh shpejt ndërsa drejtohesh për te dalja, duke e ngatërruar me një kryqëzim tjetër me një figurë që lutet në plan të parë. Por, shiko përsëri: rezulton se figura që qëndron përpara Krishtit - përballë një tjetër sfondi të errësuar të Zurbaránit - është një piktor. Në dorën e majtë ai ka furça dhe një paletë të mbushur me bojëra që me siguri janë të përshtatshme për të krijuar tonet e mishit dhe rrobën e vetë figurës. Dora e djathtë e artistit është në zemrën e tij, fytyra e tij e kuqërremtë duke parë lart me admirim drejt shpëtimtarit të tij - i cili, për dallim, ka lëkurë gri dhe është krejt i vdekur.

Kush është kjo figurë me ngjyrat e tij që qëndron në këmbët e kryqit? Nganjëherë ai është identifikuar si Shën Luka, i shenjti mbrojtës i artistëve. Por, është e vështirë të mos mendohet se ai është, në një farë kuptimi, edhe vetë Francisco de Zurbarán. Është e pamundur të mos mendosh për vetë aktin e pikturimit kur shikon këtë vepër. Pikturimi si një akt përkushtimi, mrekullie dhe lutjeje. Pikturimi si një mjet për të parë hyjnoren. Pikturimi si një mënyrë për të përcjellë vizione që qëndrojnë pezull midis reales dhe joreales, iluzores dhe të prekshmes. /Telegrafi/

A e ka vendosur Zurbaráni veten në pikturë? “Krishti i kryqëzuar me një piktor”Foto: Federico Pérez/ Arkivi Fotografik, Muzeu Kombëtar i Prados