The Athletic zbulon prapaskenat: Vinicius Jr e admiroi projektin e Arsenalit, ishte afër ta pranonte ofertën
Sipas një raportimi të The Athletic, Vinicius Junior ishte seriozisht i joshur nga oferta e Arsenalit dhe projekti i klubit londinez kishte mbështetje të plotë nga drejtuesit.
Arsenali kishte punuar për muaj të tërë për ta realizuar këtë operacion, ndërsa oferta e “Topçinjve” për një periudhë e vendosi Real Madridin në një situatë delikate. Megjithatë, situata ndryshoi pas negociatave intensive mes përfaqësuesve të futbollistit dhe drejtuesve të klubit madrilen.
Vinicius kishte refuzuar më herët dy oferta nga Real Madridi, përpara se palët të zhvillonin bisedimet vendimtare që çuan në një marrëveshje të re.
Pas përfundimit të negociatave, braziliani fshiu të gjitha postimet nga profili i tij në Instagram, përpara se të zyrtarizonte vazhdimin e kontratës me Real Madridin deri në vitin 2032.
Negociatat këtë herë rezultuan shumë më të vështira se rinovimi i mëparshëm i kontratës së tij. Pjesa më e ndërlikuar e bisedimeve kishte të bënte me kërkesat financiare të futbollistit, veçanërisht me pagën dhe një bonus historik rinovimi, të cilin Real Madridi fillimisht nuk ishte i gatshëm ta pranonte.
Në fund, Vinicius vendosi të qëndrojë në Santiago Bernabeu, pavarësisht interesimit serioz të Arsenalit, duke vazhduar aventurën e tij me Real Madridin për të paktën deri në vitin 2032./Telegrafi/


