Thatësira ul nivelin e ujit në Gurrën e Demjanit, KRU “Gjakova” apelon për kursim
02/09/2026
KRU “Gjakova” ka njoftuar se, për shkak të thatësirës së madhe, niveli i ujit në Gurrën e fshatit Demjan ka filluar të zvogëlohet.
Sipas kompanisë, kjo situatë po ndikon në sasinë e ujit që akumulohet në rezervuarin e Stacionit të Pompave, duke rrezikuar furnizimin me ujë të banorëve të kësaj zone.
KRU “Gjakova” u ka bërë apel të gjithë konsumatorëve që të tregojnë kujdes në përdorimin e ujit të pijshëm dhe të shmangin keqpërdorimin e tij.
“Çdo përdorim i panevojshëm mund të ndikojë në furnizimin me ujë dhe të shkaktojë reduktime për banorët e kësaj zone”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Kompania ka kërkuar nga qytetarët që të kontribuojnë përmes kursimit të ujit, veçanërisht në këtë periudhë të thatësirës së madhe. /Telegrafi/


