Thaçi nga Haga: Procesi ka devijuar, duhet drejtësi e jo hakmarrje
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë një intervistë nga burgu i Hagës për emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut.
Ai tha se procesi i gjykimit ka devijuar, dhe se i njëjti duhet të ofrojë drejtësi e jo hakmarrje.
“Në izolim po kaloj vitin e gjashtë, pa vendim gjyqësor. Siç theksoi së fundi eksperti politik amerikan Daniel Serwer: ky proces ka devijuar nga misioni... duhet të ofrohet drejtësi, e jo hakmarrje e bazuar në mashtrim. Nga ana ime nuk kam ç’ka t’i shtoj këtij konstatimi”.
“Të ishte transparent. Llogaridhënës dhe të respektojë të drejtat e njeriut”, shtoi Thaçi.
Thaçi po ashtu tha se në burg i “është mbyllur goja e i janë lidhur duart”.
“Aktualisht më është mbyllur goja për të folur dhe më janë lidhur duart për të shkruar atë që më do zemra e thotë plotësisht mendja. Do të mundohem të bëj më të mirën për rrethanat ku gjendem”, u shpreh ish-presidenti.
"Serbia u mor – e merret kohë të gjatë me mua. Më dënoi në mungesë me shumë vite burg. Në mënyrë të vazhdueshme (1993–97) bastisi shtëpinë, keqtrajtoi dhe arrestoi babanë, nënën, motrën dhe vëllezërit – në hakmarrje ekzekutoi edhe vëllanë e Lumes, Hakiun në masakrën në fshatin Studime të Vushtrrisë në maj 1999", deklaroi Thaçi.


