‘Tërmet’ te Besa
Skuadra e Besës si e vetmja që zhvilloi përgatitje jashtë vendit para fillimit të kampionatit, kishte ambicie të mëdha se mund ta fitojë titullin e kampionit. Për këtë bëri disa përforcime sa cilësore, aq edhe të shtrenjta. Mirëpo, rezultatet askund hiq. Në pesë xhirot e para, pejanët kanë vetëm katër pikë, teksa kanë humbur tri ndeshje, duke bërë që gjasat për titull të zbehen qysh në fillim. Ndërsa, kulmi ishte humbja e fundit në udhëtim te Vëllaznimi 5:0, me ç’rast shfaqi edhe shumë pakënaqësi.
E për të gjitha këto, kryesia e Besës të hënën mbajti një mbledhje dhe rezultatet e saj janë katër futbollistë të suspenduar dhe tre të tjerë që marrin vërejtjen e fundit.
“Mbajtëm mbledhjen dhe i suspenduam katër futbollistë për një kohë të pacaktuar. Ata do të kthehen kur ne konsiderojmë se janë vetëdijesuar. Ndërsa, për tre të tjerë është vërejtja e fundit”, deklaroi kryetari i klubit, Shemsedin Muahxeri, pa dashur të përmendë emra.
Fjala është për portierin, njëherësh edhe kapitenin e skuadrës, Valmir Bytyqi, vëllezërit Fisnik e Florent Papuqi dhe mbrojtësin tjetër, Shpëtim Zhara. Ndërsa, vërejtja e fundit i është dhënë mesfushorëve Ilir Nallbani e Mensur Duraku si dhe sulmuesit, Egzon Gashi. /Telegrafi/


