Please enter at least 3 characters.

Tentohet të digjet një restorant në Prizren, policia në kërkim të dyshuarve

Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me një rast të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm në fshatin Reçan të Prizrenit.

Ngjarja ka ndodhur në intervalin kohor nga ora 00:30 deri në 03:15, kur autoritetet janë njoftuar se persona të panjohur kanë tentuar t’i vënë flakën një restoranti.

Sipas njoftimit policor, në afërsi të restorantit është gjetur edhe një mjet shpërthyes me fitil ndezës. Njësia e specializuar për trajtimin e mjeteve shpërthyese (IEDD) ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar se bëhet fjalë për një mjet të punuar në mënyrë artizanale.

Po ashtu, dyshohet se edhe rreth një javë më parë ka pasur një tentativë të ngjashme për zjarrvënie ndaj të njëjtit objekt. Për fat, nuk raportohet për persona të lënduar.

Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente, ndërsa policia po punon për identifikimin e të dyshuarve dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./Telegrafi/