Tenori Russell Watson zbulon se kishte menduar të hidhej nga ballkoni i hotelit për të bërë vetëvrasje mes betejës së tmerrshme me tumorin në tru
Tenori i njohur operistik, Russell Watson, 58 vjeç, ka zbuluar se kishte menduar për një moment të vetëvrasjes pas diagnostikimit me tumorin e tij të parë në tru.
Ai po regjistronte një album në Los Angeles në vitin 2006 kur vizitoi Spitalin Cedars-Sinai, pasi po përjetonte dhimbje të padurueshme koke. Russell kishte vuajtur me to për muaj të tërë dhe gjatë fluturimit për në Shtetet e Bashkuara dhimbja ishte aq e madhe sa mendonte se do të vdiste.
Një skanim MRI zbuloi një tumor në hipofizë – më vonë u konstatua si benign – me madhësinë e dy topave të golfit, që kërkonte ndërhyrje urgjente kirurgjikale.
Duke folur për podkastin “How To Be 60” të Kaye Adams, ai rrëfeu: “E gjithë bota ime u shemb dhe dhimbja u përkeqësua – gjithçka u rëndua edhe më shumë me lajmin që sapo mora. Po qëndroja në një hotel në Beverly Hills, në katin e 8-të, dhe ishte hera e parë që ndjeja diçka të tillë.
“Nuk mund ta përshkruaj dhimbjen – nuk kam ndjerë kurrë diçka të tillë më parë apo më vonë – ishte si një thikë që më shtyhej në mes të kokës dhe rrotullohej. Ishte e padurueshme dhe për një moment qëndrova në ballkonin e hotelit. Thjesht mendova: ‘Mjaft, nuk mund ta përballoj më.’ Dola në mendime për të vrarë veten”.
Fatmirësisht, mendja e tij u kthye te familja dhe nuk e realizoi këtë veprim. Ai vazhdoi: “Më pas mendoja për fëmijët e mi, që atëherë ishin ende vajza të vogla – nuk do të mund të menaxhonin pa mua. U ktheva në dhomë, u shtriva në shtrat, shpëla fytyrën me ujë të ftohtë dhe përballova dhimbjen”.
Russell e quajti veten “budalla” që qëndroi në Los Angeles për të përfunduar albumin para se të kthehej në Mbretërinë e Bashkuar për një operacion pesë-orësh në Spitalin St George, Londër. Ai ishte i vendosur të përfundonte albumin, që në atë kohë mendonte se mund të ishte trashëgimia e tij muzikore në rast se do të ndodhte e papritura.
Ndikimet e tumorit, i cili u hoq përmes hundës, vazhdojnë të ndjehen edhe sot.
Russell shpjegoi: “Do të duhet të marr ilaçe dhe hormone zëvendësuese për gjithë jetën, kryesisht për gjëndrën hipofizë që u shkatërrua pothuajse plotësisht, kështu që është një kujtesë e vazhdueshme. Duhet të marr injeksione dhe tableta çdo ditë, veçanërisht hidrokortizon, që më thanë se nëse nuk e merrja për një periudhë të caktuar nuk do të isha më këtu. Është ilaçi që më shpëton jetën dhe hormonët e rritjes”.
Në vitin 2007, fatkeqësia u përsërit kur tumori u rrit sërish gjatë regjistrimit të një albumi tjetër. Ai përsëri kishte nevojë për një operacion urgjent, këtë herë në Spitalin Alexandra në Greater Manchester, i ndjekur nga radioterapia si pjesë e rehabilitimit.
Në nëntor të kaluar, Russell shpërtheu në lot në programin “The One Show” kur mori një mesazh video nga konsulenti që e kishte ndihmuar.
Zoti Lackett i tha: “17 vjet pas vendimit të guximshëm për operacionin, shiko çfarë karriere të shkëlqyer ke pasur në mes. Nuk mund të ta përshkruaj sa krenar ishte ekipi im të shihte përparimin tënd pas asaj nate të tmerrshme kur u dërgove në spital si urgjencë”.
Russell, i emocionuar, iu përgjigj moderatorëve Alex Jones dhe Roman Kemp: “Oh, çfarë njeriu. Dhe gjithashtu shumë i dashur, shumë i thjeshtë. Një qenie e bukur njerëzore. Do të jem përgjithmonë mirënjohës ndaj tij”. /Telegrafi/


