Please enter at least 3 characters.

Të paktën 30 të vdekur nga shpërthimi i një cisterne nafte në Nigeri

Dhjetëra persona humbën jetën nga një shpërthim i tmerrshëm i një cisterne me naftë në shtetin federal të Nigerit, pasi automjeti doli nga rruga dhe u përmbys.

Banorët vendas nxituan për të mbledhur karburantin që rridhte, por cisterna shpërtheu papritur, duke shkaktuar një zjarr të madh që i përpiu ata, raporton bbc.

Sipas informacioneve fillestare, rreth 30 persona kanë humbur jetën dhe të paktën 40 të tjerë kanë marrë plagë të shkallëve të ndryshme.

Zjarri intensiv dogji shumë trupa deri në atë pikë sa nuk mund të identifikoheshin, ndërsa të plagosurit u dërguan me urgjencë në një spital të afërt për trajtim.

Korporata Federale për Sigurinë Rrugore (Federal Road Safety Corps) njoftoi se të paktën 35 persona kanë vdekur në aksident, ndërsa koordinatori lokal i Agjencisë Kombëtare për Menaxhimin e Emergjencave (NEMA) deklaroi për agjencinë AFP se ka pasur "29 të vdekur dhe 42 të plagosur".

Aksidenti ndodhi në rrugën Bida-Agaie dhe besohet se cisterna, që po udhëtonte nga Lagosi drejt veriut, është përmbysur për shkak të gjendjes së keqe të rrugës.

Shpërthimet e cisternave janë një dukuri e shpeshtë dhe vdekjeprurëse në Nigeri, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme nga autoritetet për rreziqet e mbledhjes së karburantit të derdhur.

Kushtet e këqija të rrugëve janë një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore në vend. Në muajin tetor të vitit të kaluar, një shpërthim cisterne me karburant vrau 153 persona në shtetin Jigawa, ndërsa në janar të këtij viti, një aksident i ngjashëm në shtetin Niger mori të paktën 86 jetë. /Telegrafi/