"Të paaftë, manipulues" e deri te "letra n'burg", tragjedia në autostradën "Ibrahim Rugova" ndez përplasjen mes LVV-së dhe LDK-së
Aksidenti tragjik i fundjavës së kaluar në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku humbi jetën një grua, si dhe ankesat e vazhdueshme të qytetarëve për rrëshqitjet e dheut në këtë aks rrugor, kanë nxitur reagime të ashpra politike, pasi Ministria në detyrë e Infrastrukturës njoftoi për nënshkrimin e kontratave në vlerë prej mbi 4.6 milionë eurosh për sanimin e skarpatave.
Vendimi për ndarjen e 4.67 milionë eurove u kritikua fillimisht nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili akuzoi Qeverinë për neglizhencë dhe reagim të vonuar.
"Dje Kosova u zgjua me lajmin tragjik të humbjes së jetëve në autostradë. Sot u zgjua me lajmin se heqja e atij dheu, do t'u kushtojë qytetarëve 4.67 milionë euro. Një tjetër ditë ku qytetarët paguajnë çmimin me jetë dhe me taksa, ndërsa pushteti vazhdon të jetojë në realitetin e propagandës së vet", shkroi Rama në Facebook, raporton Telegrafi.
Ai tha se për vite të tëra nuk është ndërhyrë në autostradë, ndërsa tani "gjenden miliona euro për kontrata", duke e cilësuar këtë si "fotografinë më të qartë të një qeverisjeje që reagon vetëm kur është tepër vonë".
Rama akuzoi më tej kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se "shtetin e gjete me autostrada të ndërtuara, ndërsa sot nuk arrin as t'i mirëmbash".
Në një reagim tjetër, ai iu drejtua ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Dimal Basha, me fjalët: "Jeni të paaftë dhe manipulues! Jeni fatkeqësia e këtij vendi. Pikë".
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, hodhi poshtë pretendimet e Ramës, duke thënë se bëhet fjalë për sanim të plotë të skarpatave dhe jo vetëm për largim dheu.
"Ministria sot ka njoftuar se ka nënshkruar kontrata për sanimin e plotë të skarpatave në autostradën 'Ibrahim Rugova'. Pra nuk bëhet fjalë për 'heqje dheu', siç po manipulon Kryetari Rama dhe siç është raportuar në disa portale, por për projekte të sanimit të plotë të skarpatave në tri segmente të autostradës", deklaroi Basha.
Ai mohoi gjithashtu lidhjen e aksidentit tragjik me gjendjen e skarpatave.
"Autostrada ka qenë e pastruar nga dheu në momentin kur ka ndodhur aksidenti tragjik. Ne po presim raportin zyrtar të Policisë së Kosovës dhe refuzojmë të bëhemi pjesë e manipulimeve politike që tentojnë të përfitojnë nga tragjeditë njerëzore", tha ai.
Basha shprehu ngushëllime për familjen e viktimës, duke shtuar se i vjen keq që "Kryetari Rama dhe disa të tjerë po përpiqen të nxjerrin përfitime politike nga kjo tragjedi".
Në një postim tjetër, ministri në detyrë përdori gjuhë edhe më të ashpër ndaj kryetarit të Prishtinës, shkruan Telegrafi.
"Perparim Rama, mu m'ka bë ministër Albin Kurti, a ty kryetar pazaret e natës me PDK-në. Ti ju shërben atyre, unë qytetarëve. Pse e mashtron Lumirin e ia përjashton drejtorat, ne s'lejojmë me lu çibrita", shkroi Basha, duke shtuar: "Edhe pak, se me do reforma në drejtësi, ti nuk shkrun më statusa në Facebook, por letra n'burg".
Debatit iu bashkua edhe zyrtari i LDK-së, Sokol Havolli, i cili, ndonëse tha se Rama mund të ketë manipuluar, e konsideroi ministrin përgjegjës për situatën në autostrada.
"Për që Rama manipulon, është e saktë, ama edhe viktimat e autostradës janë përgjegjësi e jotja Dimal", shkroi Havolli.
Ai shtoi se Basha "ka përgjegjësi penale, sepse vdekjet në autostrada e rrugë nacionale janë nga defektet e paralajmëruara shumë herë" dhe se, sipas tij, ministri "duhet të ndiqet penalisht".
Ndërkohë, shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, akuzoi Ramën për shfrytëzim politik të tragjedisë.
"Argati i PDK-së që udhëheq me Prishtinën, njëherësh pretendenti për kryetar të LDK-së, Përparim Rama, zgjodhi që një fatkeqësi të rëndë komunikacioni ku humbi jetën një grua ta shfrytëzojë për sulm politik ndaj Qeverisë dhe Kryeministrit", deklaroi Sveçla.
Sipas tij, "shfrytëzimi i një humbjeje njerëzore për përfitime politike është veprim i ulët dhe jashtë çdo standardi njerëzor".
Në një reagim pasues, Sveçla ngriti dyshime mbi kohën e deklarimeve të Ramës.
"Sa herë që në Kosovë krijohen momente të rëndësishme politike, Përparim Rama e gjen rrugën për në Facebook", shkroi ai, duke pyetur: "Cilin bashkëpunim eventual po përpiqet ta pamundësojë? Dhe mbi të gjitha, interesin e kujt po e mbron me këto dalje të përsëritura?".
Përplasja mes zyrtarëve vjen në kohën kur opinioni publik po kërkon sqarime lidhur me gjendjen e sigurisë në autostradën “Ibrahim Rugova”, ndërsa raporti zyrtar i Policisë së Kosovës për aksidentin fatal bëri të ditur se vozitësi kishte humbur kontrollin mbi automjetin, duke goditur pjesët mbrojtëse të autostradës - aty ku kishte pas shembje të dheut. /Telegrafi/


