Takimet Kurti - Hamza - Abdixhiku, konsiderohet e vështirë arritja e një marrëveshjeje
Një orë e 15 minuta zgjati takimi i Bedri Hamzës, i cili i vetëm i shkoi në tavolinë Albin Kurtit e Hekuran Muratit.
Më shumë zgjati takimi tjetër, ai me Lumir Abdixhikun e Vjosa Osmanin, të cilët shkuan në takim në orën 18:00 e qëndruan për më shumë se dy orë të premten.
Kur takimi përfundoi, palët u shprehën optimistë, por pa dhënë kurrfarë detaji për ndonjë ofertë të mundshme.
“Synimi ynë është që t’i evtiojmë zgjedhjet e reja. Ekziston një gatishmëri e vullnet”, ka thënë Albin Kurti, kryeministër në detyrë.
“U angazhuam për diskutime rreth parimeve kryesore. Vlerave dhe ideve programore për të cilat kemi interes”, ka thënë Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së.
Përkundër optimizmit të shprehur dhe lënies së mundësisë për takime të tjera, njohës të çështjeve politike e vlerësojnë si të vështirë arritjen e një marrëveshjeje mes partive.
“Besoj që do jetë e vështirë, sepse pritshmëria ishte te PDK-ja, por tani krejt shikimi ka shkuar te LDK-ja”, ka thënë Ben Andoni, Njohës i çështjeve politike.
Pikërisht tani me LDK-në, vlerësohet që ka diçka më shumë gjasa.
“Më realist më duket një bashkëpunim mes LDK dhe VV, por vetëm nëse palët arrijnë që ta ndajnë çështjen e formimit të qeverisë nga ajo e zgjedhjes së presidentit”, ka thënë Basri Muja, njohës i çështjeve politike.
Megjithatë, deri te arritja e një marrëveshjeje, para ndarjes eventuale të pushtetit, vlerësohet që ekziston një tjetër pengesë për t’u kaluar.
“Abdixhiku është në pozicionin më të vështirë, sepse edhe nëse ai do dakordohet atij i duhet ti unifikojë anëtarët që kanë probleme”, ka thënë Ben Andoni, njohës i çështjeve politike.
“Pengesë kryesore e shoh situatën e brendshme të LDK-së, dhe gatishmërinë e saj për të marrë një vendim të unifikuar’’, ka thënë Basri Muja, njohës i çështjeve politike.
Ndërkohë, të shtunën u konsumua edhe dita e tretë e afatit për konstituim të Kuvendit, proces i cili më së largu duhet të përfundojë më 8 gusht./Tv Dukagjini/


