Tahiri: Kurti po e mban Kosovën me drama politike, ndërsa qytetarët përballen me krizë ekonomike
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka kritikuar qeverinë në detyrë për mungesë projektesh zhvillimore dhe fokusim në kriza politike, duke thënë se qytetarët po përballen çdo ditë me rritje të kostos së jetesës.
Në “Përballje Podcast”, Tahiri tha se gjatë viteve të fundit Kosova është përfshirë në debate politike, ndërsa problemet ekonomike dhe sociale kanë mbetur anash.
Ai tha se qytetarët sot përballen me çmime të larta dhe vështirësi ekonomike.
“Një projekt kapital të rëndësishëm nuk është në gjendje me e përmend. Një investim të huaj nuk është në gjendje me e përmend...Dy vjet po merremi veç me presidentin… qytetarët duhet me u marrë me mirëqenie, me zhvillim dhe me kushte më të mira jetese”, u shpreh ai.
Tahiri akuzoi Albin Kurtin se po prodhon tema politike për të larguar vëmendjen nga problemet reale të qytetarëve.
“Qëllimi ka qenë me e humbë vëmendjen prej temave e sfidave aktuale të kohës e me i prodhu sfida politike”, deklaroi ai.
Sipas Tahirit, Kosova ka nevojë për fokus në ekonomi, zhvillim dhe projekte konkrete për qytetarët. /Telegrafi/


