Please enter at least 3 characters.

Supersticioni i Ruben Amorim, në qendër të kritikave pas eliminimit turpërues të Man United

Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, është vënë në qendër të kritikave pas eliminimit turpërues të skuadrës së tij nga Kupa EFL kundër Grimsby Town, ekip i kategorisë së katërt të futbollit anglez.

Portugezi ka një zakon të pazakontë: gjatë serive të penalltive vendimtare, ai nuk i shikon gjuajtjet dhe i kthen shpinën fushës, duke u mbështetur tek supersticioni.

Ky ritual, që deri tani shihej si një sjellje personale e trajnerit, ka marrë më shumë vëmendje për shkak të krizës së Man United në realizimin e penalltive.

Ndeshja e djeshme përfundoi 2-2 pas 90 minutash. Grimsby kaloi në epërsi me golat e Charles Vernam (22’) dhe Tyrell Warren (30’), ndërsa “Djajtë e Kuq” u rikthyen në lojë me golin e Bryan Mbeumo (75’) dhe barazimin dramatik nga Harry Maguire (89’).

Në vazhdim, gjithçka u vendos nga penalltitë, ku Grimsby fitoi me shifrat e pabesueshme 12-11, duke shkaktuar një nga eliminimet më të turpshme të viteve të fundit për Djajtë e Kuq.

Supersticioni i Amorimit, në një moment kaq kritik, vetëm sa ka shtuar pakënaqësinë e tifozëve, të cilët po kërkojnë që trajneri të fokusohet më shumë tek gjetja e zgjidhjeve konkrete sesa tek ritualet personale.

Për Man United, presioni është gjithnjë e më i madh: jo vetëm për rezultatet zhgënjyese, por edhe për mënyrën sesi trajneri i tyre po perceptohet jashtë fushe. /Telegrafi/