Stuhitë në Gaza vrasin 14 palestinezë, përfshirë 3 fëmijë
Kushtet e këqija të motit gjatë 72 orëve të fundit në Gaza kanë lënë 14 persona të vdekur, përfshirë tre fëmijë, ka njoftuar drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë me seli në Gaza, Munir Al-Boursh.
Gjatë dy viteve të fundit, shumë palestinezë nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të zhvendoseshin në tenda dhe strehimore të përkohshme mes luftës shkatërruese që e la pjesën më të madhe të enklavës në rrënoja.
Tendat u përmbytën me ujë dhe palestinezët mbetën “duke ecur nëpër ujëra të zeza, baltë dhe mbeturina pa strehë të duhur”, sipas grupit të ndihmës Oxfam, i cili tha se kushtet e vështira janë një “rezultat i drejtpërdrejtë i pengimit sistematik të ndihmës”.
Palestinezët kërkuan ndihmë mes motit të ftohtë dhe shiut që i ka lënë sendet e tyre të lagura dhe të shkatërruara.
“Dysheku, batanija, gjithçka, madje edhe rrobat, janë lagur me ujë. … Më sillni një dyshek. Më sillni një tendë. Ju lutem, për hir të Zotit, më ndihmoni”, tha Um Mustafa.
Ajo tha se ushqimi i vetëm që i kishte mbetur, një qese me miell dhe oriz, u prish pasi u lagën me ujë duke e lënë në panik në mes të natës.
“Dola duke u bërtitur fqinjëve, duke u kërkuar ndihmë”, tha ajo.
“Të gjithë fëmijët e mi u lagën nga uji i shiut”, shtoi Mustafa. /Telegrafi/


