Stadiumi “Rexhep Rexhepi” në Drenas drejt përfundimit - MKRS ndan 4.5 milionë euro për fazën e fundit
Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, njoftoi të enjten ndarjen e 4.5 milionë eurove për fazën përfundimtare të rinovimit të stadiumit “Rexhep Rexhepi” në Drenas.
Çeku bëri me dije se përmes një marrëveshjeje me Komunën e Drenasit, kjo e fundit do të kontribuojë me 875 mijë euro dhe do të udhëheqë punimet në terren.
“Kemi nënshkruar marrëveshjen me Komunën e Drenasit dhe po fillojmë fazën përfundimtare të ndërtimit të stadiumit ‘Rexhep Rexhepi’, që ta bëjmë një hapësirë të denjë, funksionale dhe gati për ndeshje e tifozë. Komuna do të kontribuojë me 875 mijë euro dhe do të udhëheqë punimet në terren".
"Me vendosmëri po e realizojmë planin investiv për Lojërat Mesdhetare 2030. Po krijojmë një të ardhme më të mirë për sportin,” shkroi ministri Çeku në rrjetet sociale.
Punimet për rinovimin e stadiumit në Drenas kanë nisur prej disa vitesh, por janë zhvilluar me ritëm të ngadaltë, ashtu si në shumicën e objekteve sportive në vend. /Telegrafi/


