Please enter at least 3 characters.

Skandali i gjykimit në Serie A: Nën hetim vetëm zyrtarë të VAR-it, asnjë lojtar apo drejtues klubi

Skandali i ri që ka goditur gjykimin në Serie A duket se po mbetet brenda vetë botës së gjyqtarëve. Raportimet nga Italia bëjnë të ditur se në hetimet e Prokurorisë së Milanos nuk figuron asnjë lojtar apo drejtor klubi, ndërsa të gjithë personat e përfshirë deri tani janë të lidhur me sektorin e gjykimit dhe VAR-it.

Sipas mediave italiane, përfshirë “La Gazzetta dello Sport”, në regjistrin e të dyshuarve janë shënuar edhe emra të rinj, por situata nuk prek klubet e Serie A.

Në qendër të hetimit raportohet se janë zyrtarët e VAR-it, Luigi Nasca, Rodolfo Di Vuolo dhe Daniele Paterna, si dhe designatori i gjyqtarëve Gianluca Rocchi dhe mbikëqyrësi i VAR-it, Andrea Gervasoni.

Në ditët e fundit është përmendur edhe emri i Interit, por raportet theksojnë se deri tani nuk ka elemente që e lidhin klubin me çështjen.

Gazzetta shkruan se Rocchi dyshohet për ndikim te zyrtarët e VAR-it gjatë ndeshjeve dhe për përzgjedhje të gjyqtarëve që i pëlqejnë Interit në disa takime të sezonit 2024/25.

Megjithatë, sipas të njëjtave burime, nuk ka prova që Rocchi të ketë zhvilluar bisedime me Interin për emërimet e gjyqtarëve dhe asnjë lojtar apo drejtues i zikaltërve nuk është nën hetim.

Ndërkohë, një video e datës 1 mars 2025 thuhet se ka shtuar dyshimet në këtë histori. Sipas raportimeve, pamjet tregojnë zyrtarin e VAR-it, Daniele Paterna duke marrë një komunikim nga jashtë dhomës së VAR-it gjatë një ndeshjeje të Serie A mes Udineses dhe Parmës, gjë që e ka shtyrë të nxisë gjyqtarin në fushë që të shkojë te monitori anësor, pavarësisht hezitimit fillestar.

Hetimet pritet të vazhdojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë të gjitha materialet dhe komunikimet që mund të kenë ndikuar në vendimmarrje gjatë ndeshjeve. /Telegrafi/