Skandal gjatë garës për guvernator në Kolorado - kandidati republikan pohon se ka kryer vrasje në moshën 7-vjeçare
Republikani që kandidon për guvernator të Kolorados, Victor Marx, ka shkaktuar reagime të forta pasi gjatë një interviste pranoi se, kur ishte shtatë vjeç, u detyrua të vriste një njeri të njerkut të tij.
Ai gjithashtu refuzoi të tregojë nëse ka vrarë njerëz edhe si i rritur, duke u përgjigjur me pyetjen "A ka rëndësi?".
Gjatë intervistës me gazetarin Kyle Clark të 9News, Marx u pyet nëse personi që kishte vrarë si fëmijë ishte i vetmi viktimë e tij. Pas një heshtjeje prej rreth 10 sekondash, ai tha "si fëmijë, po, pa asnjë dyshim. Por kam qenë edhe në situata të tjera ku, ndoshta, njerëz kanë vdekur si rezultat i mbrojtjes sime në vende të tjera. Nuk mbaj numër dhe nuk kam fotografi".
Kur gazetari e pyeti drejtpërdrejt nëse kishte vrarë njerëz edhe si i rritur, kandidati republikan nuk dha përgjigje të qartë dhe tha vetëm "a ka rëndësi?".
Marx, veteran i Korpusit të Marinës së SHBA-së dhe drejtues i një organizate humanitare, prej vitesh pretendon se njerku i tij abuziv e detyroi të qëllonte për vdekje një burrë në Mendenhall të Misisipit kur ishte vetëm shtatë vjeç.
Megjithatë, autoritetet lokale në Misisipi kanë deklaruar se nuk kanë gjetur prova ose të dhëna për një vrasje të pazbardhur që do të përputhej me këtë rrëfim.
Ai është një nga kandidatët republikanë në garën për guvernator të Kolorados, së bashku me Barbara Kirkmeyer dhe Scott Bottoms.
Deklaratat e tij kanë nxitur debat të madh në opinionin publik amerikan, ndërsa kundërshtarët dhe analistët kanë vënë në pikëpyetje besueshmërinë e rrëfimeve të tij dhe ndikimin që ato mund të kenë në fushatën zgjedhore. /Telegrafi/


