"Situatë e rrezikshme", Haradinaj paralajmëron reagim qytetar për mbrojtjen e Kushtetutës
Deputeti dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kritikuar ashpër zhvillimet e fundit politike në vend, duke i cilësuar si shkelje të Kushtetutës dhe rrezik për funksionimin institucional të Kosovës.
Ai tha se situata aktuale për zgjedhjen e presidentit është e paprecedentë që nga paslufta.
“Është një situatë ndryshe nga të gjitha zhvillimet që kemi parë në Kosovë pas pavarësisë”, ka deklaruar Haradinaj.
Sipas tij, veprimet e institucioneve përbëjnë shkelje serioze kushtetuese.
“Ata që ushtrojnë funksione shtetërore dje kanë bërë shkelje kushtetuese, është e ngjashme me suprimimin e Kushtetutës”, ka thënë ai, duke e krahasuar situatën me periudha të së kaluarës.
Haradinaj ka paralajmëruar për pasoja të rënda nëse vazhdohet me këtë qasje. “Është një ngjarje dhe drejtim i rrezikshëm dhe ju bëj thirrje të ndalen mos të vazhdojnë në këtë drejtim”, është shprehur ai.
Ai ka përmendur edhe mundësinë e reagimit qytetar.
“Nëse shkojnë kësaj rruge të rrezikshme po na pamundësojnë funksionet në bazë të Kushtetutës dhe nuk na lënë rrugë tjetër pos t’i drejtohemi qytetarëve, sovranit që të mobilizohemi të gjithë dhe të mbrojmë Kushtetutën”, ka deklaruar Haradinaj.
Në fund, ai u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të mos vazhdojnë me këtë situatë.
“I thërras vetëdijes dhe ndërgjegjes të gjithëve që të mos bëhen pjesë e këtij turpi”, ka thënë ai, duke iu drejtuar edhe kandidateve për presidente dhe deputetëve të komuniteteve joshumicë. /Telegrafi/


