Situata e zjarreve, Ministria e Mbrojtjes: 12 vatra, 9 vijojnë të mbeten aktive - vijon operacioni për shuarjen e flakëve
Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë këtë të shtunë një përditësim zyrtar mbi situatën e zjarreve në të gjithë territorin e vendit. Sipas njoftimit, deri në orën 14:00 janë regjistruar gjithsej 12 vatra zjarri, nga të cilat 9 vijojnë të mbeten aktive, 2 janë nën monitorim, ndërsa vetëm njëra prej tyre është shuar plotësisht.
Për përballimin e emergjencës janë mobilizuar 285 forca operacionale në terren, të cilat po mbështeten nga 120 efektivë të Forcave të Armatosura, dy helikopterë si dhe dy avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore.
Në Dajt, Tiranë, vijon puna për shuarjen e zjarrit në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës, me mbështetjen e 50 efektivëve të FA-së dhe 2 helikopterëve të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, zjarri në zonën e Priskës, Farkës, Lundrës dhe Gurrës së Madhe është vënë nën kontroll dhe po monitorohet nga forcat operacionale.
Në Gurë-Lurë, Dibër, vijon një nga operacionet kryesore. Në terren janë angazhuar 150 forca bashkiake, 20 forca policore, 11 forca të ADZM-së Dibër, 15 efektivë të MZSH-së Dibër, 50 efektivë të FA-së dhe 2 avionë Air Tractor. Hapja e korridoreve me fadroma dhe forca ka bërë të mundur ndalimin e përparimit të zjarrit drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Qafë Helmes, Bulqizë–Selishtë, vijon puna me 11 efektivë të MZSH Bulqizë, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të FA-së. Nga krahu i fshatit Bulqizë zjarri është shuar, ndërsa vijon aktiv nga krahu i Selishtës, pa rrezik për banesat, raporton euronews.al.
Në Krujë, vatra në Abaze mbetet aktive, por me intensitet të ulët, ndërsa zjarri në Zidoll është në monitorim. Në Lufaj të Mirditës po punohet për hapjen e korridoreve ndarëse për të shmangur çdo rrezik për banesat, ndërsa zjarri pranë stacionit të trenit në Mamurras është shuar plotësisht, falë ndërhyrjes së shpejtë të strukturave operacionale.
Vijon puna edhe në Fushë-Lajë të Pukës, Sotirë në Dropull, Gjormë në Selenicë dhe Dardhë të Librazhdit, ku forcat operacionale janë të angazhuara për izolimin dhe shuarjen e vatrave. Në të gjitha këto zona nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
AKMC vijon ndjekjen dhe monitorimin e pandërprerë të situatës, në koordinim me strukturat qendrore dhe vendore të sistemit të Mbrojtjes Civile, duke mbajtur në gatishmëri kapacitetet tokësore dhe ajrore për ndërhyrje aty ku kërkohet.


