Please enter at least 3 characters.

Si vdesin diktatorët?

Udhëheqësi fashist italian Benito Musolini u rrëzua në korrik 1943. Më 1945, ai i tha një intervistuesi: “Shtatë vjet më parë isha person interesant. Tani jam kufomë”.

Vetëm disa muaj më vonë, ai vërtetë do të bëhej kufomë.

Në prill të vitit 1945, Musolini dhe e dashura e tij Clara Petaçi ishin duke ikur nga Italia për në Spanjë kur u ndaluan nga partizanët italianë, dhe u pushkatuan.

Trupat e tyre u dërguan në Piazzale Loreto të Milanos, në vendin ku një vit më parë ishin ekzekutuar 15 anti-fashistë, dhe u varën me kokë poshtë. Fotot e kufomave të varura qarkulluan gjerësisht dhe u shitën si suvenire.

Adolf Hitleri është një përjashtim mes diktatorëve.

Sipas versionit zyrtar të historisë në ditët e fundit të Luftës II, me ushtrinë ruse që po i afrohej Berlinit, Hitleri u fsheh në bunker nën ndërtesën e Kancelarisë, ku bëri përgatitjet për të vdekur në kushtet e caktuara prej tij.

Ai shkroi për vdekjen e Musolinit dhe përdhosjen e kufomës, si dhe urdhëroi që trupi i tij të digjet. Pastaj u martua me Eva Braun, dhe urdhëroi që kapsulat Cyanide të provoheshin në një qen që i përkiste fëmijëve të ministrit të propagandës Josef Goebbels.

Më 30 prill, Hitleri dhe Eva Braun shkuan në një dhomë më poshtë në bunker. Braun mori cyanide, ndërsa Hitleri qëlloi veten. Nënkoloneli i Hitlerit ndoqi dëshirat e tij dhe i dogji kufomat, edhe pse djegia nuk ishte e plotë.

Ushtria ruse i zbuloi mbetjet, identifikoi trupat, dhe pastaj shkatërroi vendin e ngjarjes për të mos mbetur shenjë.

Një version tjetër i historisë pretendon se Hitleri ishte gjallë edhe shumë kohë pas luftës.

Numërimi i viktimave të diktatorit sovjetik Josif Stalin është i vështirë. Të dhënat zyrtare tregojnë se së paku tre milionë njerëz vdiqën nga ekzekutimi dhe në kampe burgimi gjatë sundimit të tij, por këto numra nuk janë të plota, pasi miliona të tjerë vdiqën nga zia e bukës së shkaktuar nga politikat e tij.

Stalini vdiq në moshën 73 vjeçare. Pas një darke natën vonë dhe një filmi me disa nga kolegët e tij, ai shkoi në shtrat më 1 mars dhe në mëngjes nuk doli nga dhoma. Rojet vetëm aty nga ora 22:00 morën guximin për të hyrë brenda dhe e gjetën Stalinin në dysheme, ai kishte pësuar goditje të rëndë në tru, por ishte ende gjallë.

“Më 5 mars 1953″, shkroi vajza e tij Svetlana, “në momentin e fundit ai papritmas hapi sytë. Ishte një vështrim i tmerrshëm - ose i çmendur, ose i zemëruar dhe plot frikë nga vdekja… Papritmas ngriti dorën e majtë dhe drejtoi gishin mbi të gjithë ne… Një moment më vonë, shpirti u nda nga trupi i tij. ”

Francisco Franco sundoi Spanjën nga 1939 deri në vdekjen e tij. Ai censuroi kundërshtarët, krijoi kampe përqendrimi, dhe dënoi me vdekje disa që folën hapur kundër tij. Diktatori ishte prekur nga sëmundja Parkinson, që shkakton probleme në lëvizje. Më 30 tetor, 1975, ai ra në koma, por mbijetoi deri 20 nëntor. Vdiq në moshën 82 vjeçare.

Udhëheqësi kinez komunist Mao Zedong vdiq në moshën 82 vjeçare. Ashtu si Franco, ai pati shëndet të dobët për një kohë të gjatë. Mendohet se vuante nga sëmundja Lou Gehrig, apo skleroza laterale amiotrofike (ALS), degjenerim i qelizave nervore që kontrollojnë lëvizjet. Më 7 shtator, 1976, Mao ra në gjendje kome. Vdiq disa minuta pas mesnate, më 9 shtator.

Udhëheqësi i fundit komunist i Rumanisë takoi fundin e tij ditën e Krishtlindjeve, 1989. Vendi ishte rebeluar. Çaushesku u përpoq ta qetësonte popullin me një fjalim publik më 21 dhjetor. Por turma e fishkëlleu.

Ditën tjetër, çifti Çaushesku u arrestua nga ushtria, u gjykua, dhe u dënua me vdekje për gjenocid dhe korrupsion. Një skuadër pushkatimi i ekzekutoi. “Kur e kuptoi se po shkonte për të vdekur, filloi të qante”, tregon një ushtar i skuadrës së pushkatimit.

Periudha 40-vjeçare e sundimit të Enver Hoxhës në Shqipëri u karakterizua nga eliminimi i opozitës, afate të gjata me burg, dëbime nga shtëpitë dhe internime në fshatra të kontrolluara rreptësisht nga policia dhe Sigurimi. Hoxha vuante nga diabeti për shumë vite dhe prej vitit 1980 e dinte se ditët i kishte të numëruara. Grupi Shehu ishte i fundit i eliminuar prej tij (1982). Vdiq më 11 prill 1985 në moshën 76 vjeçare. /Astrit Lulushi/VOA/