Si t’i hiqni tonet e verdha flokëve biondë dhe t’ua ktheni shkëlqimin
Një ndryshim i padëshiruar i nuancës mund të shfaqet edhe pas një ngjyrosjeje të suksesshme, por kujdesi i duhur bën diferencën
Kur zbardhni flokët, ekzistojnë disa rreziqe që duhen pasur parasysh. Njëri prej tyre është shfaqja e një toni të verdhë. Shkak mund të jenë disa faktorë, si klori, ekspozimi në diell apo thjesht procesi natyror i oksidimit.
Megjithatë, nuk ka arsye për shqetësim. Me kujdesin e duhur dhe disa këshilla profesionale, tonet e padëshiruara mund të neutralizohen dhe flokëve t’u rikthehet pamja e freskët.
Pse flokët biondë marrin ton të verdhë?
Zverdhja është një nga efektet e zakonshme pas zbardhjes së flokëve. Flokët biondë të zbardhur kanë prirje të oksidohen me kalimin e kohës dhe të marrin nuanca të verdha.
Disa faktorë mund ta përshpejtojnë ose ta theksojnë këtë proces, ndër ta ndotja, uji i fortë, klori dhe ekspozimi në diell.
Për ta zvogëluar mundësinë e zverdhjes, mund t’i kërkoni parukierit një nuancë të ftohtë bionde. Në këtë mënyrë, flokët do të anojnë më shumë drejt toneve të hirtë apo të ftohta dhe më pak drejt së verdhës ose portokallisë.
Nëse synoni një bionde platin, kërkoni një nuancë shumë të çelët për të arritur efektin e ftohtë, të ashtuquajtur bionde nordike.
Mënyra më e mirë për t’ia shpjeguar floktarit rezultatin që dëshironi është t’i tregoni fotografi referuese. Kështu zvogëlohet mundësia e keqkuptimeve, transmeton Telegrafi.
Për neutralizimin e toneve të verdha ndihmon toneri
Parukierët shpesh përdorin toner ose preliv për të korrigjuar nuancën e flokëve.
Bëhet fjalë për një produkt ngjyrues me përqindje shumë të ulët oksiduesi, i cili ndihmon në neutralizimin e toneve të verdha ose portokalli.
Toneri mund të përdoret edhe në ngjyra të tjera të flokëve. Për shembull, mund të ndihmojë në zbutjen e toneve të kuqërremta në flokët gështenjë.
Megjithatë, ky trajtim është më mirë t’u lihet profesionistëve. Nëse nuk keni përvojë me ngjyrosjen e flokëve, nuk rekomandohet ta aplikoni vetë në shtëpi.
Produktet që ndihmojnë kundër zverdhjes
Ruajtja e një biondeje të bukur në shtëpi varet shumë nga kujdesi i duhur. Sa më mirë të mirëmbahen flokët me produkte cilësore, aq më gjatë do ta ruajnë nuancën e pastër dhe shkëlqimin e tyre.
Veçanërisht të dobishëm janë shamponët dhe balsamet me pigmente vjollcë, të cilët neutralizojnë tonet e verdha dhe ndihmojnë që biondja të mbetet më e ftohtë.
Por nuk duhet tepruar me përdorimin e tyre. Rekomandohet të mos përdoren më shpesh se çdo të dytën larje, sepse përdorimi i tepërt mund t’i bëjë flokët të duken pa jetë ose madje t’u japë disa fijeve një nuancë vjollcë. /Telegrafi/


