Please enter at least 3 characters.

Shteti dhe fëmijët në rrugë

Gjendja e fëmijëve që bredhin rrugëve - shumë brengosëse

Gjendja e vështirë sociale e shumë familjeve në Kosovë, po detyron anëtarët e tyre të gjejnë rrugë nga më të ndryshmet për të siguruar ekzistencën. Papunësia e lartë po shkakton probleme të natyrave të ndryshme, duke nxitur gjeneratat e ndryshme, sidomos ato të reja, të hyjnë rrugëve jo të ligjshme, apo të ia mësyjnë vendeve perëndimore për të siguruar një jetë më të mirë për ta dhe familjet e tyre, duke rrezikuar drejtpërdrejtë jetët gjatë kalimit të rrugës deri në cakun e dëshiruar.
Një problematikë që po na shqetëson thuajse pjesën më të madhe të popullit në Kosovës, është gjendja e vështirë e fëmijëve, të cilët as për së afërmi nuk i kanë kushtet për një zhvillim normal si intelektual, po ashtu edhe fizik. Detyrimi i kësaj kategorie të fëmijëve për të punuar punë të ndryshme, për t’i dalë në ndihmë familjeve të tyre në sigurimin e kafshatës së bukës, duhet të jetë brengosëse për të gjithë, por më së shumti për shtetin.

Nuk është numri i vogël i fëmijëve që kryejnë punë brenda ditës e që nuk i takojnë atyre, por thuajse nuk kanë rrugëdalje tjetër. Gjatë ditës kemi rastin të shohim këtë kategori fëmijës duke u orvatur në forma të ndryshme për të ardhur deri tek parat e nevojshme, duke filluar nga bartja e karrocave ditëve të tregut, shitja e cigareve, kërkimi i lëmoshës, e punë tjera që në asnjë mënyrë nuk duhet t’i takojnë fëmijëve, sa që na janë mësuar edhe sytë tanë për t’i parë ata në rrugë kohë e pa kohë dhe kemi krijuar një bindje që edhe fëmijët të punojnë punë të rënda dhe jo të duhura për ta. Kjo gjendje është shumë shqetësuese që nuk i kushtohet kujdes i veçantë institucional, por po konsiderohet normale, për pjesën më të madhe të udhëheqësve të institucioneve adekuate për këtë problematikë, pasi që fëmijët e tyre jetojnë në luks të vërtetë, por për fat të keq në kurriz të popullit.

Fëmijët punojnë edhe gjatë natës

Një rast shumë i rëndë që pata mundësinë ta shoh, më shtyri të shkruaj për këtë temë të ndjeshme, edhe pse ka shumë autorë dhe OJQ që kanë shtjelluar shumë mirë këtë problematikë, duke kërkuar që të intervenohet në mënyrë institucionale, për të larguar nga rruga fëmijët që punojnë punë të rënda dhe kohë pa kohë. Të gjithë ne jemi mësuar të shohim cigareshitës në çdo kënd, pjesa më e madhe prej tyre të moshave madhore, por të shohim fëmijë të moshës 7 ose 8 vjeçare të merren me këtë veprimtari, është shumë e rëndë dhe shqetësuese. Më brengosës ishte fakti se ky fëmija, në ora 21:00, në një restorant të mbushur përplot me njerëz, me një çantë shkollore në kraharorin e tij, endej duke mbajtur në duar një pako të madhe të mbushur me cigare. Ishte një fëmijë shumë i njomë, me një zw “trishtues” dhe fytyrë që tregonte rraskapitjen e tij.

Ky fëmijë nuk e kishte vendin aty në atë kohë, duke kërkuar kafshatën e bukës dhe duke iu përulur shumë njerëzve për të shitur mallin e tij. Vendi për të është dashur të ishte shtëpia e sigurt dhe një shtrat i rehatshëm, nga do të zgjohej në mëngjes me gëzimin më të madh. Por në realitet ai jo vetëm që nuk mund të flejë rehat, vonë kur të shkoj në shtëpi, por mëngjesin e nesërm, duhet të mendoj se cilën rrugë, apo pjesë të qytetit duhet ta zgjedh për të shitur cigaret e tij. Shtrohet pyetja, a duhet të jetë brengosëse kjo gjendje për pushtetarët tanë? Me siguri se të gjithë do të përgjigjen pozitivisht, por praktikisht nuk po veprohet asgjë, jo pse nuk dëshirojnë të mos i shohin këta fëmijë duke u marrë me punë të tilla, por për shkak “problemeve” më të mëdha që i preukopojnë, në këtë rast pasurimin e tyre dhe rregullimin e jetës së fëmijëve të tyre.

Shteti duhet të respektoj të drejtat e njeriut

Fal Zotit, tani e dy vite kemi shtetin tonë, i përbërë nga institucione të ndryshme, të zgjedhur nga populli, me mendimin se vërtet do të punojnë për popullin, por realisht nuk po veprohet ashtu, duke lënë anash në shumë fusha interesat e shoqërisë, dhe duke vendosur ato personale para të gjithave. Njëjtë po ndodh edhe në rastin e fëmijëve të pambrojtur dhe duke ua mohuar të drejtat elementare. Nëse shteti nuk do të merret me ardhmërinë e vendit, në këtë rast fëmijët, për një edukim dhe arsimim të mirëfilltë për ta, si dhe një jetesë pa brenga, atëherë nuk duhet të presim një zhvillim normal të Kosovës në vitet e mëvonshme. Të gjithë fëmijët e pushtetarëve ndjekin një jetë të lumtur me shumë befasi të këndshme, me mundësi të shumta zgjedhjeje, me një shkollim të klasit më të lartë, e shumë mundësi tjera, që fëmijët e rëndomtë as në ëndërr nuk do të kenë rastin t’i përjetojnë.

Duhet të iniciohen shumë aktivitete për të ndryshuar gjendjen e fëmijëve që punojnë, sidomos ata në rrugë. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Arsimit, duhet të ndërmarrin hapa të shpejtë dhe të përbashkët që të ndryshojnë gjendjen momentale. Tani jemi në pushimin shkollor, por nuk do të thotë se fëmijët duhet të shkëputen nga mësimi dhe ta lënë anash atë. Ministria e Arsimit mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në largimin e këtyre fëmijëve nga rruga, duke iu siguruar materiale të ndryshme edukuese dhe argëtuese për këtë kategori fëmijësh, që do t’ua tërheqin vëmendjen, por edhe do t’ia lehtësonin punën vetes gjatë muajve shkollor, duke mos munguar shkollimi i rregullt i fëmijëve të tillë.

Edhe Ministria e Mirëqenies Sociale mund tw bwj shumw mw shumw për t’u siguruar këtyre fwmijwve vendbanim mw tw mirw dhe kushte më të volitshme për jetesë. Në këtë mes nuk duhet harruar tw japin kontributin edhe institucionet tjera që mund të kenë ndikim në këtë drejtim, duke filluar nga Policia e Kosovës, institucionet korrektuese, bizneset private, OJQ-të dhe shoqëria në përgjithësi. Ne vet duhet të ndërtojmë shtetin në bazë të parimeve shtetformuese, me respektimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe në veçanti të fëmijëve, ashtu siç na garanton edhe Kushtetuta e Kosovës, Neni 2: “Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet. Republika e Kosovës ushtron autoritetin e saj bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vet dhe të gjithë individëve brenda kufijve të saj”.

(Autori është student në Master - drejtimi: Menaxhimi në arsim)