Shpëtohet turisti çek i bllokuar në Malin e Çikës – Policia publikon pamje nga operacioni 12 orësh i kërkim-shpëtimit
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë dhe Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë (FKS), Njësia Fier, strukturat e Emergjencave Civile, Njësinë Alpine dhe Ministrinë e Mbrojtjes, përfunduan me sukses një operacion shumë të vështirë kërkim-shpëtimi për një turist çek, që kishte mbetur i bllokuar në një zonë të thepisur dhe shumë të vështirë të Malit të Çikës.
Policia njofton se menjëherë pas marrjes së njoftimit, u organizua operacioni i kërkim-shpëtimit.
“Përgjatë 12 orëve, Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Fier, arriti të lokalizojë vendndodhjen e turistit dhe të bashkohej me të.
Për shkak të terrenit shumë të vështirë dhe pamundësisë së tërheqjes me mjete tokësore, u kërkua ndërhyrja e helikopterit të Forcave të Armatosura, i cili bëri të mundur nxjerrjen e turistit nga zona dhe transportimin e tij në qytet. Turistit 43-vjeçar iu dha ndihma e parë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftim.
Pas shpëtimit, turisti falënderoi të gjitha strukturat e angazhuara për ndihmën dhe profesionalizmin e treguar gjatë operacionit.
“Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve dhe turistëve në çdo rast emergjence, duke garantuar reagim të shpejtë dhe profesional. Për çdo rast nevoje për ndihmë, qytetarët dhe turistët mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 112”, bën të ditur Policia e Shtetit. /Telegrafi/


