Shpërthen ylli i Egjiptit pas eliminimit: Ky Botëror duke qartë se është manipuluar që nga fillimi
Përmbysja dramatike e Argjentinës ndaj Egjiptit, e cila i siguroi "Albiceleste” një vend në çerekfinale të Kupa e Botës, ka shkaktuar shumë reagime dhe polemika në kampin afrikan për shkak të gjykimit të gjyqtarit francez Francois Letexier dhe vendimeve të VAR-it.
Egjipti ishte duke fituar 2-0 dhe duke iu afruar një prej rezultateve më të mëdha në historinë e tij, por Argjentina reagoi në pjesën e dytë dhe përmbysi gjithçka, duke triumfuar 3-2 falë golave të Cristian Romero, Lionel Messi dhe Enzo Fernández.
Pas golit vendimtar të Enzo Fernandez në minutat shtesë, tensionet në bankinën egjiptiane shpërthyen. Përzgjedhësi Hossam Hassan reagoi ashpër ndaj vendimeve të gjyqtarit dhe bëri gjeste kundërshtuese në drejtim të tij, veprim që i solli një karton të verdhë në fundin e ndeshjes.
Megjithatë, momentet më të nxehta erdhën pas vërshëllimës së fundit.
Disa lojtarë të Egjiptit rrethuan gjyqtarin Letexier duke protestuar për vendimet e tij, ndërsa më pas pakënaqësia vazhdoi edhe në intervistat pas ndeshjes.
Një nga reagimet më të forta erdhi nga Mostafa Ziko, autori i golit të dytë të Egjiptit, i cili kritikoi ashpër gjykimin.
“Është një padrejtësi, një padrejtësi e qartë. Gjyqtari po shkatërron përpjekjen e një vendi të tërë. Që nga fillimi i ndeshjes ai ishte kundër nesh. Nuk mund të largohemi kështu, kur ishim duke fituar 2-0 ndaj Argjentinës. Ky turne është i manipuluar”, tha Ziko.
Ziko kërkoi falje nga tifozët egjiptianë për eliminimin, por këmbënguli se skuadra e tij nuk kishte pasur kontroll mbi atë që ndodhi në fushë.
“Ju kërkoj falje. Donim shumë t’ju bënim të lumtur sot. Nuk ia dolëm, por sinqerisht, nuk ishte në duart tona. Ishte në duart e gjyqtarit. Ky turne duket qartë i manipuluar që nga fillimi”, shtoi ai.
“Ne dolëm për të luajtur që nga minuta e parë pa iu frikësuar askujt. Nuk kishim frikë nga askush, hymë me mentalitetin për të fituar dhe kjo u pa gjatë gjithë ndeshjes. Por në pjesën e dytë ndodhën shumë gjëra të çuditshme”.
“Kishte shumë faulle kundër nesh dhe na anuluan një gol që ende nuk e kuptoj pse. Sot ndodhën shumë gjëra të pazakonta”, përfundoi futbollisti egjiptian./Telegrafi/


