Shpallja e rezultateve të zgjedhjeve, Cakolli: KQZ formalizoi praktikë të kundërligjshme, shpalli rezultate ‘të pjesshme’
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas shpalljes së rezultateve të 28 dhjetorit për Kuvendin e Kosovës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Cakolli përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se shpallja e këtyre rezultateve është shkelje, pasi siç tha “nuk është konsumuar afati ligjor për ankesa”.
“Përtej shkeljes fillestare – shpalljes së rezultateve pa u konsumuar afati ligjor për ankesa – sot KQZ shkoi edhe një hap më tej dhe formalizoi një praktikë tërësisht të kundërligjshme, duke shpallur rezultate ‘të pjesshme’, pra, jo për të gjitha subjektet politike. Rezultatet zgjedhore janë akt i vetëm dhe prodhojnë pasoja për të gjithë njëkohësisht. Ligji nuk njeh rezultate përfundimtare për një parti të veçantë, as vendime të ndara sipas subjekteve apo kandidatëve. Po aq e rëndësishme, kundërshtimi i rezultateve nuk mund të mbetet opinion politik i papërcaktuar, pa asnjë pretendim konkret për shkelje ligjore”, ka shkruar Cakolli.
Ai tha se ajo që ndodhi sot është absurde.
“Cilido anëtar që votoi kundër ose abstenoi, nëse kishte dyshime reale për rezultatet, ishte ai që duhej të ankohej. Situata nuk zgjidhet me votim politik brenda KQZ-së dhe as duke bllokuar ose lejuar rezultate sipas interesave të momentit. Por duke e ditur se çfarë do të ishte epilogu ligjor nga një ankesë potenciale në PZAP apo Supreme, disa zgjodhën ta shtyjnë edhe një episod të kësaj shfaqjeje të pakuptimtë politike”.
Sipas tij, KQZ po sillet sikur ka kompetencë të vendosë kush hyn në fazën pas shpalljes dhe kush jo.
“E për këtë, përgjegjësi mban edhe Kryesuesi i KQZ-së që lejoi ndarjen artificiale të rezultateve pa asnjë bazë ligjore. E mbi të gjitha, problemi kryesor nuk është vetëm dita e sotme, por precedenti që po krijohet. Nëse sot rezultatet shpallen në mënyrë selektive, nesër mund të vonohen ose të certifikohen në mënyrë selektive. Kështu procesi zgjedhor pushon së qeni proces ligjor dhe shndërrohet në menaxhim politik të rezultateve. Dhe kjo është arbitraritet institucional, pa asnjë dilemë”, ka shkruar Cakolli. /Telegrafi/


